Nga kjo e hënë nis viti shkollor 2024-2025. Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu ishte e ftuar në emisionin “Aldo Morning Show” në Tv Klan ku foli ndër të tjera edhe për rritjen e pagave të mësuesve.

Sipas saj, nga 1 Korriku pagat janë rritur mesatarisht 180 Euro për mësuesit. Ajo theksoi se kjo ndikon në rritjen e motivimit dhe dinjitetit të tyre. Po ashtu, Manastirliu shtoi se kjo do të ndikojë edhe te rritja e interesit te brezi i ri për të zgjedhur mësuesinë si profesion.

“Në fakt nga 1 Korriku pagat e mësuesve janë rritur në mënyrë të konsiderueshme. Paga mesatare e mësuesve tashmë është 950 Euro dhe rritja e pagës mesatare për mësuesit nga 1 Korriku është mesatarisht 180 Euro. Në takimet që kam patur me mësuesit ky ka qenë një motivim i madh. Ajo çfarë sigurisht, asnjëherë nuk është mjaftueshëm dhe gjithmonë kërkohet më shumë, por rritja e pagave patjetër që është një ndër elementët e rëndësishëm për rritjen e motivimit, të dinjitetit të mësuesve. Ne kemi nevojë ta lartësojmë figurën e mësuesve dhe rritja e pagës influencon në dy aspekte, e para në motivim dhe frymëzim dhe e dyta edhe në një lloj rritje të interesit të brezit të ri për të zgjedhur mësuesinë sepse ne duhet të punojmë jo vetëm për sot, por edhe për nesër. Duke pasur paga më të larta janë shumë më të motivuar”, u shpreh Manastirliu./tvklan.al