Bashkimi Europian do t’i akordojë Shqipërisë 80 milionë euro ndihmë për përballimin e krizës energjetike. Lajmin e bëri të ditur Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen gjatë vizitës zyrtare në Tiranë, ku u prit me një ceremoni zyrtare nga Kryeministri Rama.

“Do të jenë 80 milionë euro në grante. Pjesa e dytë ka të bëjë jo me mbështetjen e menjëhershme. 500 milionë euro në grante për të investuar në infrastrukturën energjetike për të gjithë rajonin. Investimi do të jetë për shembull në impiantin lundrues diellor, Vau i Dejës, modernizimin e hidrocentralit të Fierzës, me rinovimin e eficencës energjetikë të godinave të Qytetit Studenti”.

Por a mjafton ky grant që qeveria shqiptare të përballojë kostot e krizës energjetike?

“80 milionë euro nuk janë pak, janë një shifër e konsiderueshme. Janë 1/6. Ne na është dashur në total, deri në fund të vitit sipas parashikimit, duke pasur parasysh dhe çfarë është bërë deri tani, 460 milion euro”.

Pavarësisht situatës jo fort të favorshme të financave në buxhetin e shtetit, Kryeministri la të kuptojë se nëse do vijohet me kursimin qeveria mund të mos e vendosë në muajin nëntor fashën e energjisë për 800kw/orë.

“Kemi përsëri ulje të konsumit. Nëse do të kursehet arsyeshëm mundësia që të veprojmë ndryshe me fashën krijohet.”

Rama u shfaq optimist pavarësisht vonesave edhe për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Tiranë me degëzim në aeroportin e Rinasit, projekt të cilin e pa nga afër me Presidenten e Komisionit Europian.

“Jemi në kushtet ku mund të themi se në pranverën e vitit 2024 do të kemi aksin hekurudhor Tiranë-Durrës-Rinas dhe Rinas-Durrës-Tiranë.”

Rama e Von der Leyen folën edhe për çështjet që do të diskutohen në samitin BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet në 6 dhjetor në Tiranë.

“Në qendër të diskutimeve do të jetë lufta e tmerrshme që Rusia po bën në Ukrainë dhe se si mund mbështesim më tej Ukrainën, pasi ne do të jemi në krah të Ukrainës për aq kohë sa të duhet. Dhe në qendër të diskutimeve do të jetë dhe energjia, por do të ketë dhe tema të tjera, si infrastruktura”, tha Von der Leyen.

“Tirana do bëhet skena e një ngjarje politike europiane të dorës së parë në fund të gjysmës së dytë të vitit”, u shpreh Rama.

Gjatë konferencës për shtyp, por edhe në takimin mes dy delegacioneve zonja Von der Leyen vlerësoi përparimin e Shqipërisë dhe reformat e ndërmarra nga qeveria në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian.

Tv Klan

Von der Leyen: 80 mln Euro grante për Shqipërinë për përballimin e krizës energjetike

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka prezantuar planin e Bashkimit Europian për përballimin e krizës së energjisë.

“Rusia po shkel rendin ndërkombëtar, të drejtën ndërkombëtare dhe çdo kartë të OKB-së. Ne e ndjejmë që Rusia po përpiqet ta përdorë energjinë si armë, po manipulon tregjet dhe ne të gjithë i ndjemë efekte që sjellin për rrjedhojë të gjitha këto çështje që kanë të bëjnë me hallkat e pasigurta të sigurisë së furnizimit me energji. Por fatmirësisht Shqipëria nuk ka fare varësi te gazi rus kjo për shkak të sistemit tuaj të energjisë nga burime hidrike, natyrisht që energjia elektrike që vjen në Shqipëri ndikohet nga trazirat që ne shikojmë në treg dhe këto çmime kaq të larta, stratosferike, kjo sjell ndikime edhe në Shqipëri. Ne, në Bashkimin Europian, kemi vendosur që e vetmja përgjigje që mund të japim është me anë të unitetit dhe solidaritetit”.

Ne jemi pjesë e një unioni për energjinë ndaj propozojmë një paketë mbështetëse për energjinë për Ballkanin Perëndimor, të njëjtën gjë po bëjmë edhe në Bashkimin Europian duke përfshirë së pari mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore për të ndihmuar me zbutjet e ndikimeve që kanë çmimet e larta të energjisë tek familjet qytetare dhe bizneset. Do të jenë 80 milionë Euro në grante. Në rast se e kam kuptuar siç duhet ju keni një sistem që funksionon për të ndihmuar familjet, por edhe bizneset e vogla në këtë kohë të vështirë. Pjesa e dytë ka të bëjë jo me mbështetjen e menjëhershme, por me mbështetjen që do të vijë pas janarit, në fakt në aspektin afatmesëm dhe afatgjatë, mbështetja për sistemin e energjisë. Po flasim për 500 milionë Euro në grante për të investuar në infrastrukturën energjetike për të gjithë rajonin.

Në rastin e Shqipërisë, Von der Leyen tha se “investimi do të jetë për shembull në impiantin lundrues diellor, në Vaun e Dejës, modernizimin e hidrocentralit të Fierzës dhe në fakt u habita shumë që kur dëgjova që prodhon ¼ e energjisë elektrike në vend. Gjithashtu plani po ndihmon me rinovimin e efiçencës energjetike të godinave të Qytetit Studenti të Universitetit të Tiranës. Këto janë vetëm disa shembuj, por tregojnë drejtimin në të cilin ne po ecim”.

Rama: Vendosja e fashës 800 KW nuk është rritje e çmimit të energjisë

Kryeministri Edi Rama u shpreh këtë enjte gjatë konferencës së përbashkët me shtyp me Presidenten e KE-së, Ursula von der Leyen se qeveria nuk do ta rrisë çmimin e energjisë elektrike. Ai theksoi se vendosja e fashës 800 KW nuk është rritje e çmimit të energjisë. Ai u shpreh se janë dy parametra që do të shikojnë nëse do të vendoset fasha për muajin Nëntor, kursimi dhe reshjet.

“E dëgjoj të përsëritur pyetjen do hiqni dorë nga rritja e çmimit të energjisë. Ne nuk do të rrisim çmimin e energjisë. Nuk e kemi thënë kurrë këtë gjë. Vendosja e fashës nuk është rritje e çmimit të energjisë. Është vendosja e një tavani nën të cilin çdo familje mund të kryejë të gjitha nevojat bazike, të gjitha pa përjashtim, pa pasur nevojë për më shumë. Në mbi 1 milionë abonentë familjarë, 1.2 më saktë, janë maksimumi 60 mijë familje që konstatohet se dalin mbi këtë tavan në kulimin e ngrohjes apo për ftohje. Ky është gjë tjetër në krahasim me fjalorin rritje e çmimit të energjisë. Edhe për këtë pjesë, por sidomos për faktorin psikologjik dhe patjetër edhe për të krijuar një filtër ndaj gjithë gënjeshtrave dhe gjithë fabrikimeve, gjithë helmimeve të përditshme të opinionit me të pavërteta që kanë terrorizuar një milet të tërë se do rritet çmimi i energjisë, një gënjeshtër e proporcioneve më të mëdha të mundshme, ne kemi shtyrë aplikimin e fashës për muajin Tetor jo sepse kështu deshëm ne, sepse po të ishte për atë që ne duam, do ishin bërë rroga dyfish, do ishin bërë pensionet dyfish e kështu me radhë. Por sepse ishin dy parakushte. E para patëm reshje, jo aq sa do donim, por mjaftueshëm për ta konsideruar si krijim mundësia dhe e dyta pamë një ulje konsumi, që do të thotë një sjellje pozitive për kursim. Aktualisht po e shohim çdo ditë sa i përket reshjeve nuk kemi shumë për të parë sepse qielli çdo ditë shkëlqen nga dielli, pra lajmi është i keq, dita është e mirë. Sa i përket kursimit përsëri shikojmë pozitivitet. Kemi ulje të konsumit. Nëse do të kursehet arsyeshëm mundësia që të veprojmë ndryshe me fashën krijohet. Ky alarm absurd këtu neglizhon komplet faktin që fasha 800 kilovat ka kohë që është vendosur në republikën fqinje të Kosovës, dhe pa kushte. Nuk na rezulton që ka prekur të gjithë popullin e Kosovës”, u shpreh Rama.

Sa i përket ndihmës që ka dhënë BE për krizën energjetike, Rama tha se 80 milionë euro përbëjnë 1 të 6 e asaj që i është dashur shtetit të paguajë për të siguruar energji për këtë vit.

“80 milionë Euro nuk janë pak, janë një shifër e konsiderueshme, ndërkohë që për t’ju përgjigjur pyetjes sa pjesë e të tërë nevojës janë që ne të vazhdojmë të mbrojmë çmimin e familjeve dhe të konsumatorëve, janë 1 e 6. Dmth nëse i referohemi këtij viti ne na është dashur në total deri në fund të vitit sipas parashikimit, 460 milionë euro. Kjo një shumë e kombinuar midis buxhetit të shtetit dhe Operatorit të Prodhimit të Energjisë. Është shumë marramendëse për tërësinë e buxhetit tonë, por është një shumë që ka ndihmuar edhe për inflacionin. Pavarësisht se në ekranet tuaja dhe në faqet e informimit kjo gjë thuajse nuk duket asgjëkundi, përkundrazi, e kundërta dhe e pavërteta zë shumë vend, Shqipëria sot ka inflacionin më të ulët në rajon. Arsyeja kryesore e këtij inflacioni më të ulët në rajon, pavarësisht se inflacioni nuk është asnjëherë i ulët në kohë lufte, është fakti që kemi një mburojë financiare për çmimin e energjisë. Në rast se ne do të kishim relativizuar këtë mburojë sikur pak të kishim prekur çmimin e energjisë duke afruar me tregun, kjo do e kishte reflektuar tek çmimi i familjeve. Asnjë pikë shitjeje në Shqipëri nuk ka një çmim të energjisë elektrike të ndryshuar përkundrazi paguan të njëjtin çmim të energjisë që paguante para fillimit të krizës  së energjisë”, u shpreh Rama.

Taksa e jashtëzakonshme për prodhuesit e energjisë, Rama: Sipas direktivës së BE. Von der Leyen: Me të mbështetëm familjet dhe bizneset në nevojë

Krah presidentes së Komisionit Europian, Kryeministri Edi Rama ripërsëriti vendosjen e një takse të jashtëzakonshme për 3 kompani të mëdha që prodhojnë energji. Rama tha se kjo do të bëhet në përputhje me direktivat e BE. 

“BE nuk është në kushtet kur ka një shpellë me ar që ka ardhur dita tani ta hapë dhe të derdhë florinjtë mbi gjithë popujt, kjo është kjo lufte. Nuk e kemi zgjedhur ne, nuk e ndalojmë dot ne. Lufta është fakt dhe nuk është një luftë që nuk na takon, e s’ka lidhje me ne, jo vetëm që na lidh përmes krizës dhe inflacionit, por na lidh përmes përmbajtjes së saj…. Vladimir Putin nuk ka shkuar në Ukrainë thjeshtë për Ukrainën, ka shkuar për të gjunjëzuar gjithë perëndimin demokratik në anën e këtejshme të globit. Ky është basti dhe gjunjëzimi i Perëndimit në mendësinë e tij është pikërisht ndërpriti gazin, 2/3 e furnizimit janë ndërprerë, rriti çmimet, futi në stres, nxirri në rrugë dhe bëri që të refuzojnë atë që kanë arritur dhe të ndryshojnë mendje për gjithë mënyrën si jetojnë. Në këtë aspekt ne sigurisht nuk na mjaftojnë fare ato 80 mln, por ato janë një ndihmë shumë e rëndësishme dhe ne jemi falënderues Presidentes së Komisionit për këtë ndihmë. Ashtu sikundër ne do të vendosim taksën e jashtëzakonshme duke ndjekur direktivën europiane, duke parë çfarë kanë bërë disa vende, taksën për 3 prodhuesit e mëdhenj të energjisë në Shqipërisë. Edhe këtu do ju lutesha shumë që të ishit korrektë me publikun që e informoni dhe mos flisni për taksë për të gjithë HEC-et. Është taksë për 3 prodhuesit e mëdhenj të energjisë në Shqipëri të cilët nuk kanë bërë asgjë për ta shitur energjinë me shumëfish. Nuk kemi ndonjë gjë kundër tyre, por ata nuk mund të nxjerrin fitime marrmendëse sepse ju ra fati ndërkohë ne mos të kemi mundësi ata që janë më në nevojë sepse kështu na ra fati. Do vendosim taksën e jashtëzakonshme dhe me taksën e jashtëzakonshme do të mbështesim drejtpërdrejt ata që janë më në nevojë”, tha Rama.

Nga ana tjetër, Von der Leyen shtoi se BE ua ka dhënë një pjesë të fitimeve marramendëse nga këto kompani shteteve anëtare që të mbështesin familjet dhe bizneset në nevojë.

“Në fakt zoti Kryeministër po ju dëgjoja me kujdes për gjithçka që ju thatë. Sigurisht që në BE, Komisioni Europian e ka bërë të mundur që edhe për shtetet anëtare, të merren pikërisht me këto fitime kaq të larta të këtyre kompanive, pasi kanë të ardhura super madhore, të cilat nuk i kanë as imagjinuar. Kështu që ne kemi marrë një pjesë të këtyre fitimeve për t’u dhënë shteteve anëtare që të mbështesin familjet në nevojë dhe bizneset në nevojë”, u shpreh Von der Leyen.

Samiti i BE më 6 Dhjetor në Shqipëri, Von der Leyen zbulon temat që do të diskutohen

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen krah Kryeministrit Edi Rama foli edhe për temat që pritet të diskutohen në samitin e përbashkët mes krerëve të Bashkimit Europian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor. Ky samit do të zhvillohet për herë të parë në Tiranë, më datë 6 Dhjetor.

“Do të diskutojmë situatën gjeopolitike. Sigurisht në qendër të këtyre diskutimeve do të jetë lufta e tmerrshme që Rusia po bën në Ukrainë dhe sesi mund të mbështesim më tej Ukrainën, sepse jemi shumë të qartë që ne do të qëndrojmë krah Ukrainës për aq kohë sa të duhet. Dhe mendoj që edhe energjia do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në këto diskutime dhe me të gjitha ato pasoja që janë përmendur tashmë në këtë konferencë për shtyp. Kështu që do të kemi edhe tema të tjera, si për shembull infrastruktura, por edhe sesi do të vijojmë të trajtojmë krizën“.

“Ne do të diskutojmë edhe zhvillimin ekonomik, por edhe ato çështje që do të jenë në ato kohë. Por një gjë që unë pres që të diskutohet dhe e di që nuk do të zhgënjehem në këtë gjë, është mikpritja e mrekullueshme e Shqipërisë. Dhe e di që ka për të qenë një samit vërtetë shumë i këndshëm këtu në Shqipëri”.

Takimi me Von der Leyen, Rama: Diskutuam për krizën energjetike dhe samitin në Tiranë

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë këtë të enjte. Ajo është takuar me Kryeministrin Edi Rama dhe të dy së bashku kanë zhvilluar një konferencë të përbashkët për shtyp. Kreu i qeverisë Rama zbuloi se me Von der Leyen ka diskutuar për krizën energjetike dhe për samitin BE-Ballkani Perëndimor që do të zhvillohet më 6 Dhjetor në Tiranë.

“Sigurisht që takimi i sotëm ka një vlerë të veçantë për shkak se presidentja na ka informuar për të gjithë situatën financiare në kushtet e një lufte që bombat dhe plagët i kanë në Ukrainë, por pasojat e së cilës ndjehen në gjithë Europën, përfshirë edhe ne në çmimet stratosferike të tregut të energjisë dhe në inflacionin që i ka prekur të gjithë pa përjashtim. Informova presidenten për qasjen tonë, për vendosmërinë tonë që të vazhdojmë ne të vazhdojmë të mbështesim me të gjitha mënyrat familjet dhe bizneset e vogla për të mos e prekur energjinë elektrike. Gjë që do të thotë një peshë e konsiderueshme për buxhetin e shtetin, por sipas nesh një peshë sidoqoftë e arsyeshme. Nga ana tjetër, kemi folur pak, por do takohemi përsëri më vonë edhe për një ngjarje të jashtëzakonshme për Shqipërinë, e para në histori në 6 Dhjetor kur në Tiranë do të kemi Samitin e Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor dhe të gjithë liderët do të vijnë në Tiranë për këtë samit. Tirana u bë në mënyrën më mbresëlënëse për hir të së vërtetës, skena e një finaleje europiane në futboll në fund të gjysmës së parë të vitit, tashmë bëhet skena e një ngjarje politike europiane e dorës së parë në fundin e gjysmës së dytë të vitit. Janë dy ngjarje që deri pak vite më parë askush nuk mund t’i imagjinonte jo më ti jetojmë. E falenderova presidenten edhe për këtë, sepse jam i bindur se edhe në zgjedhjet e mundshme edhe pse nuk ka për ta pranuar dhe nuk ma pranon as mua, por ka bërë avokatinë e Tiranës”, u shpreh kryeministri Rama.

Hekurudha Tiranë-Durrës, Rama: Projekti përfundon në pranverën e vitit 2024

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen mbërriti këtë të enjte në Tiranë ku në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama ka prezantuar planin e Bashkimit Europian për përballimin e krizës së energjisë.

Kryeministri Rama falenderoi Ursula von der Leyen për ndalesën e saj në kryeqytetin shqiptar dhe  tregoi se së bashku kishin bërë  një ndalesë për të parë punimet e hekurudhës së re Tiranë-Durrës, një projekt i cili ka nisur më vonë seç ishte parashikuar. Sipas kryeministrit, projekti pritet të përfundojë në pranverën e vitit 2024.

Edi Rama: Unë dua ta falënderoj shumë presidenten për këtë ndalesë në Tiranë. Kemi qenë së bashku për të parë punimet e hekurudhës së re. Më në fund! Në këtë rast jo për shkak të burokracisë së komisionit, por për shkak të një burokracie tjetër asaj të Bankës Evropiane për Investim dhe Zhvillim, projekti ka nisur shumë më vonë se parashikimi, por jemi në kushtet kur mund të themi se në pranverën e vitit 2024 do të kemi aksin hekurudhor Tiranë-Durrës dhe Tiranë-Rinas, Durrës-Rinas.

REDAKSIA TVKLAN.AL