Gjykata e Shkallës së Parë Fier gjatë seancës së sotme vendosi caktimin e masave të sigurisë për autorin e vrasjes së dyfishtë në Kurjan të Rroskovecit, si dhe 3 bashkëpunëtorëve të tij.

Seanca është zhvilluar nën masa të rrepta sigurie nga ana e Policisë së Shtetit, ndërkohë që familjarë të palës akuzuese kanë qëndruar jashtë godinës së gjykatës në distancë.

Gjyqtare Glediana Bregu pasi ka dëgjuar prokuroren Elona Gixhari ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për autorin Altin Kuka, për 2 djemtë e tij (Ervis dhe Emauris Kuka) dhe për 67-vjeçarin Tomor Zyko.

Autori dhe 2 djemtë e tij, të tre banues në Fier, dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë me armë zjarri automatik, shtetasit Lavdrim Kurtaj, 46 vjeç, dhe Gramoz Kurtaj, 52 vjeç, për motive të dobëta 3 ditë më parë në fshatin Kurjan të Rroskovecit.

Sa i përket Zykos, dyshohet se kanë ndihmuar pas ngjarjes, dy djemtë./tvklan.al