Gjykata e Apelit të Posaçëm la në fuqi masën e sigurisë arrest në shtëpi për Sali Berishën dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, të cilët akuzohen për dosjen “Partizani”.

Kjo është seanca e parë, pasi marrjes së tyre si të pandehur nga SPAK.  Avokati Genc Gjokutaj tha se masa është e pavlefshme dhe antikushtetuese.

Genc Gjokutaj, avokati i Sali Berishës: Kemi thënë që të dyja masat, si “detyrim paraqitje” dhe “arresti në shtëpi” janë masa të pavlefshme, antikushtetuese dhe si të tilla këto gjykata ka detyrim ligjor që ta ndërpresë këtë gjendje. Ata i drejtojnë me standart të dyfishtë njërën masë dhe masën tjetër.

Jamarbër Malltezi tha në një prononcim se ky është gjykim politik.

Jamarbër Malltezi, i pandehur: Këtu nuk kishim gjë të re nga prokurorët. Këtu ishim ne që i tregonim gjykatës që prokurorët kanë dalë në gënjeshtër dhe kjo është një çështje politike me urdhër poltik dhe e kapur në gënjeshtër në mënyrë të vazhdueshme. Po mbajnë në arrest në mënyrë të paligjshme dy të pafajshëm.

Për dosjen Partizani, ish-kryeministri akuzohet për korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim, ndërsa Malltezi për korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Pjesë e dosjes janë edhe Fatmir Bektashi i cili akuzohet për korrupsion aktiv, ndërsa Xhimi Begeja për “Pastrim Parash”.

Klan News