Tvklan.al zbardh të tjera detaje për vrasjen e Sokol Çelajt që ndodhi mbrëmjen e së enjtes në fshatin Reç të Malësisë së Madhe.

Një person i armatosur hapi zjarri ndaj makinës me të cilën udhëtonte viktima. Brenda fuoristradës tip Benz ishte edhe bashkëshortja e të ndjerit Sokol Çelaj, por që fatmirësisht u shpëtoi plumbave.

Sokol Çelaj mbeti i plagosur rëndë nga të shtënat me armë zjarri dhe u dërgua në spital. Fatkeqësisht, aty ndërroi jetë për shkak të plagëve.

(VIDEO: PAMJET NGA VENDI I VRASJES)

Korrenspondentja e Klan News në Shkodër, Emi Kalaja, ka mësuar se pas ngjarjes bashkëshortja e viktimës u ka thënë hetuesve se kishte parë një person që doli para makinës së tyre.

Sipas saj, autori ka qenë i armatosur me kallashnikov dhe ka qëlluar në drejtim të tyre. Ajo thotë se nuk ka mundur ta identifikojë autorin për shkak të errësirës.

Ndërkohë, Policia e Shkodrës ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Po kështu, janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë së bizneseve në zonë për të parë lëvizjet e autorit para ngjarjes.

Viktima Sokol Çelaj ka qenë emigrant prej disa vitesh në Angli. Ai ishte kthyer në Shqipëri disa ditë më parë, më 18 Gusht. Çelaj ka qenë i dënuar me disa vite burgim për një vrasje të kryer në vitin 1989 dhe çështja ka 30 vite që është mbyllur. /tvklan.al