Pas drejtuesve të Hezbollahut, radhën këtë mëngjes e kishin liderët e Hamasit dhe Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës që jetonin në Liban.

Kreu i degës së Hamasit në Liban, Fateh Sherif Abu el-Amin u ekzekutua në një sulm ajror izraelit në kampin al-Bass në juf të vendit.

Grupi palestinez i mbështetur nga Irani ashtu si edhe Hezbollahu e ka zhvendosur qendrën e tij në Liban, pasi ka marrë goditje të rënda në Rripin e Gazës.

Edhe Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës me aktivitet në Bregun Perëndimor, një organizatë me profil marksist dhe nacionalist arab, njoftoi vrasjen e 3 drejtuesve të lartë të saj në periferi të Bejrutit.

Bombardimet e orëve të fundit në Liban u kanë marrë jetën mbi 100 personave, duke e çuar totalin e rreth 2 javëve sulme në këtë vend në mbi 1 mijë.

Të dielën, avionët izraelitë goditën edhe grupin tjetër militant pro-iranian në Jemen, Huthi, duke vrarë 4 persona e duke e zgjeruar kështu në 3 numrin e fronteve të hapur të luftës.

Konflikti në Liban ka detyruar 100 mijë banorë të shpërngulen drejt Sirisë, nga 1 milion në total ku përfshihen edhe të zhvendosurit brenda vendit.

Irani paralajmëroi hakmarrje për vrasjen e krerëve të organizatave të mbështetura nga Teherani, por analistët shtrojnë pyetjen se çfarë është në gjendje të bëjë Garda Revolucionare Iraniane, tani që organizatat e mbështetura prej saj janë dëmtuar rëndë nga sulmet e fundit izraelite.

Tv Klan