Policia e Shkodrës ka zbardhur vrasjen e Elis Rroshkodolit, krim i ndodhur më 30 Gusht. Është arrestuar një person i përfshirë në këtë atentat, ndërsa janë identifikuar dhe tashmë janë në kërkim tre personat e tjerë, bashkautorë në këtë ngjarje.

I prangosuri quhet Xhulio Malo. Ai është një person me precedent penal. Ka qenë i akuzuar si anëtar i grupit që qëlluan forcat e policisë në aksionin e Lazaratit në qershor të vitit 2015.

Policia e Shkodrës njofton se në bashkëpunim me shërbimet e drejtorisë së policisë së kryeqytetit, në kuadër të këtij operacioni, u zbulua në Tiranë një garazh ku katër personat mbanin automjete të trafikuara nga shtete të ndryshme të europës.

Nga kqyrja e kamerave të sigurisë së mjetit me të cilën u larguan autorët, rezultoi se u parkua në këtë garazh, në zonën e Mulletit. U sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 automjete të trafikuara dhe pjesë të automjetit të dyshuar të përdorur nga autorët në vrasjen e Elis Rroshkodolit. Kjo makinë ‘Porsh’ është një prej makinave të bllokuara.

Elis Rroshkodolit u qëllua teksa ndodhej në një lokal në lagjen Zdrale. 36-vjeçari ishte në tavolinë bashkë me një shokun e tij. Një person i maskuar u afrua duke shtënë në drejtim të tij  14 herë. Policia i gjeti Rroshkodolit në çantën e dorës, një pistoletë me plumb në fole gati për qitje, fakt që tregon se ai i ruhej një sulmi.

36-vjeçari rezulton person me precedent kriminal. Nuk përjashtohet mundësia që vrasja e tij të jetë porositur nga jashtë vendit për shkak të precedentëve në Belgjikë dhe Rumani. Rezulton se Elis Rroshkodolli është arrestuar nga autoritetet belge vite më parë bashkë me një grup personash të tjerë të akuzuar për vjedhje me dhunë. Ndërkohë në vitin 2023 ka plagosur një person në Rumani. Kjo është video kur ai godet me thikë pronarin e një lokali nate në këtë shtet ndërsa rreth 1 vit më pas u arrestua.

Mësohet se 36-vjeçari ka ndërruar identitetin pasi më parë ka patur mbiemrin Haxhiaj ndërsa babanë e tij Kujtim Haxhiaj e kanë vrarë në vitin 1997.

Klan News