Të tjera fakte tronditëse kanë dalë nga vrasja e Enver Ballës, krim i kryer nga djali i tij. Në polici ka dëshmuar bashkëpunëtori, Edison Brahaj, i cili ka treguar të gjithë dinamikën e veprimeve pas vrasjes së 62-vjeçarit. Ai tregon se është paguar 200 mijë lekë të reja nga Esmardi.

“Kam qenë larg në momentin që e ka qëlluar me armë babanë. E kemi lënë trupin e pajetë në ferra në vendin e ngjarjes, pastaj në darkë e kam ndihmuar. E kemi futur në furgon dhe e dërguam te pusi. I hodhëm ca goma sipër trupit në pus që të mos dilte nga uji. Më ka dhënë 2 milionë lekë të vjetra,” tha ai.

Gjatë kontrollit në banesën e 25-vjeçarit Brahaj, policia gjeti 145 mijë lekë të reja. Mbi të rëndojnë akuzat: veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, fshehjes ose asgjësim i kufomës dhe moskallëzim krimi.

Para policisë Esmerald Balla, deklaroi se vrasja ishte aksidentale. Ai pretendon se babai e kishte kanosur me armë dhe gjatë konfliktit ajo u shkrep në mënyrë të pavullnetshme. Sherri mes tyre kishte nisur për mungesën e parave në kasafortë.

Djali akuzonte të atin se kishte vjedhur paratë. Në përpjekje për të fshehur krimin 30-vjeçari deklaroi në polici se babai u largua me një grua të panjohur. Vrasja sipas policisë ka ndodhur rreth 20 ditë më parë ndërsa Esmerald Balla, denoncoi zhdukjen e të atit dy ditë pas krimit.

Klan News