Gjatë momentit të atentatit nuk kishte drita, kamerat nuk kanë filmuar lëvizjet e autorëve

Klan News ka mësuar detaje të reja për atentatin ku mbeti i vrarë Gentjan Bejtja. Ai është qëlluar me breshëri plumbash nga 2 persona ndërsa 2 të tjerë qendruan në makinë. Rreth 35 plumba kanë pëshkruar trupin e 42 vjeçarit, kryesisht në kokë dhe fytyrë. Ish-polici i burgjeve ka qenë duke punuar në oborrin e shtëpisë së prindërve, ngjitur me banesën e tij në Larushkë të Fushë-Krujës.

Teksa po kalonte rrugën drejt shtëpisë, në këtë moment autorët u afruan me makinën “Land Rover” dhe hapën zjarr me breshëri. Prindërit sapo kanë dëgjuar krismat e armëve kanë vrapuar për tek shtëpia e tij duke e gjetur të pajetë pranë serës. Në këtë kohë, në zonë nuk ka pasur drita. Hetuesit bëjnë me dije se kamerat e banesës nuk e kanë fiksuar momenetin e atentatit. Policia ka këqyrur pamjet e regjistruara para dhe pas krimit, të cilat nuk kanë ndihmuar për identifikimin e autorëve. Hetuesit ende nuk e kanë të qartë se nga kanë ardhur autorët, por është faktuar që u larguan në drejtim të Thumanës dhe në fshatin Hasan kanë djegur fuoristradën, së bashku me 4 armët kallashnikov.

“Land Roveri” rezulton i vjedhur, por ende nuk është zbuluar se ku dhe kur, ndërsa targat janë vjedhur në Tiranë rreth një vit më parë. Hetuesit kanë dyshime se autorët kanë pasur dijeni për lëvizjet e Gentian Bejtjas pasi ai që nga atentati i korrikut, ku u vra kunati i tij Ramazan Sina, nuk rrinte në shtëpi. 42 vjeçari i kishte shpëtuar dhe 2 atentateve të tjera, në 2016 dhe në 2022-in. Ish polici ka qenë i akuzuar për krime kundër personit dhe pronës. Bejtja u hetua edhe për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj pasi u akuzua së bashku me Enver Stafukën se kishin vjedhur makinën që u përdor në vrasje. Të dy u shpallën të pafajshëm nga Gjykata për mungesë provash.

Klan News