Fakte të reja janë zbuluar për vrasjen e biznesmenit Ferdinand Polia. Kristan Sulaj është emri i autorit të dyshuar për atentatin. Ai ka kaluar kufirin nga Muriqani vetëm pak orë pas ngjarjes. Këto fakte janë mësuar gjatë seancës së sotme të masës së sigurisë për tre bashkëpunëtorët e këtij krimi. Atentatori i dyshuar Kristian Sulaj është vëllai i Alfred Martinit, por ai ka ndryshuar mbiemrin.

Para trupit gjykues, tre të arrestuarit kanë dhënë dëshmi të kundërta. Dy vëllezërit Gilbert dhe Kleandro Toma kanë thënë se i kanë dhënë vëllezërve Martini mjetin tip Audi që u përdor për t’u arratisur. Ndërsa Alfred Martini pretendon të kundërtën, se makinën ka qenë ai që ua ka dhënë vëllezërve Toma. Pasi dëgjoi dëshmitë, trupi gjykues vendosi të caktojë për 3 të arrestuarit masën “arrest me burg”.

Dyshohet se vrasja e pronarit të bujtinës është kryer për hakmarrje. Policia është e rezervuar në lidhje me hetimet, por gjithçka është fokusuar tek e kaluara e viktimës, i cili ka qenë i dënuar në Itali për disa vepra penale.

Tv Klan