rrashbullNdërtesa në foto është magazina e sekuestruar dje me urdhër të prokurorisë së krimeve të rënda, brenda së cilës u gjetën rreth 15 ton kimikate i ngjashëm me atë të gjetur në magazinën e drogës në Xibrakë.

Ajo ndodhet në Kodër Arapaj, pranë rrugës së vjetër që lidh Durrësin me Tiranën.

Efektivë të forcave të ndërhyrjes së shpejtë, kanë marrë në ruajtje objektin që në pamje të parë, por dhe nga tabelat mbi të, identifikohet si një servis makinash. Por në të vërtetë ai që quhet “Real Servis”, sipas prokurorisë së krimeve të rënda, dyshohet se ka shërbyer si vend magazinimi i disa lëndëve dhe solucioneve kimike të ngjashme me ato të gjetura në laboratorin e kokainës në Xibrakë gjatë aksionit të këtij fillim viti.

Sipas burimeve të sigurta, brenda këtij servisi apo magazine, që është e regjistruar nga shtetasi me iniciale A.T. nën emrin e kompanisë Meridian, janë gjetur rreth 15 ton solucione me kimikate që shërbejnë për regjinë e lëkurëve të kafshëve, brenda thasëve të cilët janë identik me thasët e gjetur me të njëjtën lëndë kimike brenda laboratorit të drogës në magazinën e Xibrakës.

Prokuroria e krimeve të rënda ka bërë dhe ndalimin dhe marrjen në pyetje të pronarit të objektit, ndaj të cilit hidhen dyshime si pjesë e të njëjtit grup kriminal. Vetë biznesmeni pronar i magazinës së sekuestruar, ka deklaruar se këto kimikate janë porositur nga ai, pasi ka shumë kërkesa në treg për to.

Sipas tij, ato kanë hyrë normalisht nga porti i Durrësit, dhe më pas i ka sistemuar brenda objektit të tij. Nuk dihet se sa i ka bindur prokurorët kjo dëshmi, por deri tani nuk ka ndonjë indicie tjetër që ta lidh atë me personat tashmë të arrestuar, ndaj pas marrjes në pyetje personi me inicialet A.T, është lënë i lirë.

Dyshimet për ekzistencën e kësaj magazine me materialet e gjetura, kishin kohë që kishin vënë në lëvizje grupin hetimor, deri sa dje udhëzuan policinë të ndërmerrte aksionion për hyrjen brenda saj ku u zbuluan edhe të njëjtat kimikate si ato të gjetura rreth një muaj më parë në Xibrakë. Por brenda kësaj magazine nuk u gjet asgjë tjetër përveç kimikateve që shërbejnë për regjien e lëkurëve të kafshëve, lëndë që dyshohet se përdoret të bëjë edhe ndarjen e drogës nga lëkurët e kafshëve brenda të cilave trafikohet. Gjithsesi për grupin hetimor gjasat e lidhjes së trafikantëve të Xibrakës edhe me materialet e gjetura në këtë magazinë në Kodër Arapaj, janë më shumë se bindëse.

Ndaj tani do të punohet në drejtimin për të hetuar nëse kjo magazinë, do të luante të njëjtin funksion si ajo në Xibrakë, pra ku të bëhej edhe përpunimi i drogës, apo thjesht do të shërbente për magazinimin e metarialeve kimike që përdoren për ndarjen e drogës nga lëkurët e kafshëve, metodë trafikimi kjo, tepër e përhapur nga bandat e narko – trafikut ndërkombëtar.

Zyrtaret e grupit hetimor, do të pyesin sërish nëntë personat e arrestuar pas aksionit në Xibrakë, tashmë enkas për këtë zbulim të ri në rrjedhen e hetimeve të nisura që vjet, dhe që u finalizua me zbulimin e laboratorit të kokainës brenda magazinave në fshatin e Elbasanit.

Tv Klan