Ukrainës mund t’i propozohet të heqë dorë nga territoret e pushtuara nga Rusia, në këmbim të anëtarësimit në NATO. Sipas prestigjiozes “Financial Times”, ky variant po gjen mbështetje në Perëndim, si zgjidhje për fundin e konfliktit më të përgjakshëm në Europë, pas Luftës së Dytë Botërore.

Si zgjidhje për konfliktin ukrainas shihet modeli i dy Gjermanive, ku pjesa e kontrolluar nga Kievi të anëtarësohet në NATO, ndërsa rajonet Lindore nën kontrollin e Moskës të mbahen de Fakto, por jo ligjërisht nga Rusia.

I këtij mendimi është edhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg. Në një intervistë të para se të largohej nga posti, ai solli si shembull përfshirjen nën tutelën mbrojtjese të NATO-s në 1955-ën vetëm Gjermanisë Perëndimore, pasi Lindja kontrollohej nga Rusia.

Shembull tjetër është marrëveshja për garantimin e sigurisë së Japonisë nga Shtetet e Bashkuara, ku përjashtoheshin ishujt Kuril, që u morën nën kontroll në 1945-ën nga ish-Bashkimi Sovjetik. Presidenti çek Peter Pavel, një ish-gjeneral i NATO-s tha në një të përditshme vendase se rikthimi i kontrollit ukrainas në gjithë territorin nuk mund të jetë një parakusht.

Megjithatë, Uashingtoni deri më tani nuk ka ndryshuar qëndrim. Ndërsa presidenti Zelenski u paraqiti zyrtarëve amerikanë planin për fuqizimin e Ukrains, ushtarakisht dhe diplomatikisht për ta detyruar Rusinë të ulej në tryezeën e bisedimeve.

Tv Klan