Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit vendosi hapjen e procesit të primareve brenda Partisë Demokratike për përzgjedhjen e kandidaturave në zgjedhjet e pjesshme vendore. Në një deklaratë për shtyp, Komisioni thotë se nga dita e sotme nis puna për evidentimin e kandidatëve.

Sipas deklaratës, procesi i përzgjedhjes do të finalizohet më datë 30 Janar.

DEKLARATA E PLOTË:

Duke ndjekur situatën politike për zgjedhjet e pjesshme, Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit në emër të Partisë Demokratike deklaron se do të jetë pjesë e këtyre zgjedhjeve për tu dhënë shqiptarëve mundësinë për tu përfaqësuar në qeverisjen vendore me kapacitetet më të mira të vendit.

Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit vendosi sot hapjen e procesit të Primareve brenda PD për përzgjedhjen e kandidaturave më të mira për secilën nga bashkitë në garë.

Nga sot, në të gjitha bashkitë ku do të hapet gara, Partia Demokratike fillon punën për evidentimin e kandidatëve. Procesi i përzgjedhjes do të finalizohet në datën 30 Janar 2022 sipas parimit “të primareve”.

Në përputhje me statutin e PDSH neni 12 dhe 38 kandidatët mund të evidentohen:

Me vetëpropozim;
Propozim nga anëtarësia;
Propozim nga organet qendrore të PDSH.

Kandidatët duhet të jenë personalitete me autoritet të lartë politik, profesional dhe shoqëror.

Dokumentacioni i nevojshëm duhet të paraqitet pranë Komisionit të Rithemelimit të PD dhe duhet të përmbajë CV profesionale dhe politike të kandidatëve si dhe formularin e vetëdeklarimit për pastërtinë e figurës së kanditatit.

Afati për paraqitjen e kandidaturave është data 24 Janar 2022 ora 00:00./tvklan.al