Të drejtën për t’u bërë pjesë e procesit të votimit në univiersitete e kanë rreth 6500 staf akademik dhe mbi 88 mijë studentë të të treja cikleve të studimit. Veç denoncimeve për plagjiaturë për disa prej kandidatëve që garojnë në univiersitetin e Tiranës, duke nisur nga rektori dhe dy kandidatë për dekan, në Fakultetin e Drejtësisë dhe të Ekonomisë, zgjedhjet në universitet i ka shoqëruar mungesa e garës.

Në 6 universitetet e Tiranës, vetëm në universitetin e arteve ka dy kandidatë që garojnë për rektorë përballë njëri-tjetrit, Artan Peqini dhe Edmond Bakalli. Ndërsa në 5 universitetet e tjera për pozicionin e rektorit ka vetëm nga një kandidat në garë.

Në universitetin e Tiranës, Artan Hoxha garon për një mandat të dytë, tek Politekniku zv.rektori Akli Fundo garon i vetëm për rektor, po ashtu dhe tek Bujqësori Fatbardh Sallaku garon një mandat të dytë, si dhe tek Sportet, Agron Kasa kërkon një 4 vjeçar tjetër si rektor.

Në universitetin e Mjekësisë në garën për rektor është Xheladin Draçini. Por për studentët mungesa e një kandidati tjetër nuk është problem, sepse nëse janë kundër ata mund të shprehen në fletën e votimit.

Veç votimeve për rektor, dekan dhe shefa departamenti pjesë e zgjedhjeve janë edhe senatet akademike të unviersiteteve të cilat janë qeveritë e universiteteve dhe kanë një peshë të madhe në vendimarrje. Procesi i votimit nisi në orën 8  deri në orën 16:00. Komisonet zgjedhore pritet të bëjnë publike brenda mesnatës së 21 qershorit kandidatët fitues për rektor.

Klan News