Marrëveshja për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë shihet me interes edhe në Gjermani, si mënyrë për t’i dhënë fund një herë e mirë dyndjeve të pakontrolluara të emigrantëve të jashtëligjshëm. Portali “Euractiv”, i profilizuar për çështjet europiane shkruan se brenda qarqeve të qeverisë gjermane, kjo marrëveshje shihet si një prej modeleve më të mira për t’u ndjekur.

Brenda qeverisë gjermane ka zëra që kërkojnë që ky model të shtrohet për diskutim si në rrafshin dypalësh, që Gjermania të arrijë një marrëveshje të ngjashme me një vend jashtë Bashkimit Europian ku të kryhet vlerësimi i kërkesave që meritojnë azil, ose në rang europian ku negociator të jetë vetë Komisioni Europian.

Siç shkruan “Euractiv”, modeli i ngritjes së qendrave të përpunimit të kërkesave për azil jashtë kufijve të Bashkimit Europian është hedhur si propozim që në negociatat për formimin e koalicionit aktual qeverisës në Gjermani në vitin 2021. Ndaj dhe shembulli konkret që është materializuar në marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë shihet pozitivisht nga socialdemokratët gjermanë, partnerët e mëdhenj të këtij koalicioni.

Interes për këtë model ka shfaqur edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula fon der Lajen, si dhe kryeministri britanik, Keir Starmer.

Tv Klan