Zjarri që shpërtheu të enjten e shkuar në vendgrumbullimin e plehrave të Vlorës është shuar. Siç e shihni edhe nga pamjet, nuk ka më vatra zjarri dhe as tym. Në aksion për shuarjen e vatrave të zjarrit u përfshinë përveç mjeteve të institucioneve shtetërore u angazhuan edhe shumë mjete private, te cilët i erdhën në ndihmë për zgjidhjen e situatës së rendë të krijuar.

Djegia e mbeturinave vuri në alarm autoritetet lokale e qendrore edhe për shkak se tymi shpërtheu mbi qytet, duke shkaktuar probleme për mjedisin dhe një imazh të keq për turizmin.

Ndërkohë prej pak ditësh, zona malore në Shëngjin është e përfshirë nga flakët. Të hënën, zjarri është përhapur në dy drejtime mbi Shëngjinin dhe drejt Ranës së Hedhun, duke rrezikuar që të shkojë në zonat e banuara. Përhapja e flakëve është favorizuar nga era, duke djegur rreth 20 hektar pyll me pisha dhe bimësi të dendur.

Prefekti i qarkut Lezhë Gjergj Prendi thotë se zjarrëvënia është e qëllimshme.

Gjergj Prendi, prefekt i qarkut Lezhë: Vatra mbi qytetin e Shëngjinit është shumë problem, është shumë e gjerë. Sigurisht që është zjarrvënie e qëllimshme, ka 2-3 ditë që janë të gjitha forcat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Bashkisë së Lezhës.

Leonard Qyra Koordinatori i Agjencisë se Mbrojtjes Civile Shqiptare tha se zjarri është vene nen kontroll pas ndërhyrjes nga ajri dhe angazhimit me forca zjarrfikëse dhe të forcave të armatosura.

Leonard Qyra, drejtor i gatishmërisë AKMC: Jemi njoftuar për një riaktivizim këtu të vatrës së zjarrit këtu në Shëngjin menjëherë janë aktivizuar strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile në nivelin vendor Bashkia Lezhë kaqnë angazhuar të gjitha forcat operacionale të sistemit të Mbrojtjes Civile për të bërë të mundur vënien në kontroll të vatrës së zjarrit këtu në Shëngjin. Situata është pothuajse e qetë, shpresojmë që gjatë natës të kemi edhe ulje të temperaturave dhe situata e zjarrit të jetë më e qetë.

Vatrat e zjarrit janë duke u mbajtur nën monitorim për të mos lejuar përhapjen drejt zonës së plazhit.

Klan News