Prej ditësh Shqipëria vijon të regjistrojë një numër të lartë vatrash zjarri, si pasojë e temperaturave të larta, por edhe dorës së njeriut.

47 vatra u regjistruan në 24 orët e fundit, nga veriu në jug të vendit, nga  të cilat 36 u shuan, ndërsa 11 vijojnë të mbeten aktive.

E vështirë mbetet situata në lartësitë e fshatit Mesopotam në bashkinë e Finiqit, ku pasdite e ka ndjekur situatën në terren edhe vetë ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, bashkë me drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Haki Çako.

Ministri i Mbrojtjes deklaroi se prioritet është ruajtja e jetës së njerëzve dhe pronës së përbashkët, ndërsa bëri të ditur se janë në kontakt të vazhdueshëm edhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile në Bruksel në rast se do të jetë nevoja për të kërkuar ndihmë nga vendet partnere të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile.

Situatë problematike është ajo në Parkun Kombëtar të Prespës në Malin e Thatë ku zjarri vazhdon aktiv, për shkak të terrenit të vështirë. Në Tropojë, janë aktive dy vatra zjarri në zonat pyjore të fshatit Rajë dhe Geghysen si dhe në fshatin Çeren, ku flakët janë pranë Parkut Kombëtar të Alpeve. Edhe këtu terreni i thepisur vështirëson ndërhyrjen. Ndërsa në Bulqizë mbetet aktiv zjarri në fshatin Tërnovë.

Edhe në fshatin Selixë të Matit mbeten aktive dy vatra që po ndihmohen nga era e fortë. Ministria e Mbrojtjes thekson se nuk ka rrezik për banesat dhe forcat zjarrfikëse po bëjnë të gjitha përpjekjet për mbajtjen e flakëve nën kontroll.

Klan News