Emisioni “Stop” trajtoi këtë të hënë rastin e rëndë të një 12-vjeçari që largohet nga shtëpia dhe drogohet. Ai ka braktisur shtëpinë, shkollën si dhe qendrat e rehabilitimit duke u droguar rrugëve.

Punonjësja e Mbrojtjes së Fëmijëve në Njësinë Numër 3, Denisa Babasula, thotë, se janë bërë të gjitha përpjekjet për sistemimin e tij.

Por sipas Babasulës, asnjë institucion nuk është izolues dhe i mituri largohet.

“Fëmija na rezultoi që mund të ishte viktimë e mundshme trafikimi dhe është referuar në një “shelter” për të marrë shërbime. Duhet të theksojmë diçka. Në të gjitha institucionet e vendosjes së fëmijëve janë institucione të hapura, që fëmijët nuk mbahen të izoluar nga pjesa tjetër e shoqërisë. Edhe pse fëmija mund të shkojë në institucion, fëmija do të dalë jashtë institucioni për të frekuentuar shkollën. Do dalë jashtë për aktivitete të ndryshme dhe nga të gjitha dinamikat që rasti ka shfaqur deri më tani kemi parë që në çdo institucion që ne e kemi referuar rasti ka arritur të na largohet”, tha ajo.

Ekspertja e çështjeve sociale, Majlinda Keta shprehet, se në këto kushte, duhet të rikthehen shkollat e riedukimit ose të emërtohen ndryshe, por të jenë për këtë kategori fëmijësh.

“Ne duhet urgjentisht t’i kthehemi shkollave të riedukimit. Ne do t’i presim këto forma të pamundësisë për t’u menaxhuar. Një shkollë e riedukimit do të ishte një stacion drejt fundit, por unë jam më tepër që një shkollë tjetër, e shërbimit social, e drejtësisë morale dhe sociale e shtetit shqiptar mund të ofrohet për këta fëmijë. Moralisht atë prind të mos e bëjmë që të besojë deri në fund që ka dështuar me fëmijën e tij, por t’i japim forca për të riprindëruar në një mënyrë tjetër të asistuar nga shteti dhe mbi të gjitha që fëmijët t’i krijohen kushtet nën menaxhimin e institucioneve shtetërore, të cilat do të çonin mbase në një mundësi tjetër të fitimit të këtij fëmije për ta kthyer në moshën e detyrueshme të arsimit 9-vjeçar në bankat e shkollës”, tha Keta./tvklan.al