Nën akuzë zyrtarë të lartë të bashkisë dhe Ministrisë së Mjedisit

Tre vite nga nisja e hetimeve, Prokuroria e Posaçme lëshoi 15 urdhër-arreste për inceneratorin e Tiranës.

Me dyshimet se kanë abuzuar me detyrën, në masë “arresti në burg” janë vendosur zyrtarë të lartë të Bashkisë se Tiranës, si dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit.

Arrest në burg është caktuar për Taulant Tushën, drejtor në Bashkinë e Tiranës. Në të njëjtën masë janë vendosur edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i dënuar për 2 koncensionet e tjera të inceneratorëve, si dhe ish-Sekretari i kësaj ministrie, Alqi Bllako.

Gjithashtu nën hetim edhe për koncesionin e inceneratorit të Tiranës janë vënë edhe 2 biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të dënuar pët korrupsion dhe pastrim parash edhe në dy koncensionet e tjera.

Nën akuzë janë vënë edhe 10 persona të tjerë, anëtarë të komisioneve përzgjedhëse të koncensionit. 4 prej të cilëve 4 gra, të cilat janë lënë në “arrest shtëpie”.

Hetimet e SPAK gjetën lidhje sërish mes zyrtarëve të përfshirë ashtu si në procedurat e tjera të inceneratorëve te Elbasanit dhe Fierit.

SPAK po e heton këtë dosje për 4 akuza, korrupsioni, shpërdorimi i detyrës, pastrim parash dhe mashtrim me pasoja të rënda.

Në Korrik, Gjykata e Posaçme vuri në sekuestro inceneratorin e Tiranës në kuadër të këtyre hetimeve.

Tv Klan