Pas zhdukjes së 16 –vjeçares Gazie Kazia duket se qëndron një histori dashurie. Policia ka gjetur në një bllok të sajin një letër që ajo e kishte shkruar para se te dilte fshehurazi nga shtëpia, në orët e vona të mbrëmjes së 17 Majit.

“Po iki me të dashurin që kam njohur në Facebook”,

shkruhet në letrën e lënë nga adoleshentja. Nëna e saj, që e dononcoi zhdukjen në Televizionin Klan, thotë se nuk e ka parë letrën, për shkak të tronditjes që pësoi kur pa se vajza nuk ishte në shtëpi. Por në policinë e Durrësit i kanë thënë se shënimi ishtë lënë në bllokun e vajzës, para kompjuterit.

Tani kërkimet për gjetjen e vajzës janë fokusuar tek personi me të cilin ajo thotë se është lidhur.

Dyshimet bien mbi nje të ri nga Vlora që kishte banuar me qera pranë shtëpisë së familjes Kazia, në Sukth të Durrësit.

Por familja Kazia ka dyshime edhe për një taksist, të njohur të familjes, i cili dyshohet se e ka shoqëruar vajzën dhe të dashurin e saj deri në zonën e Plazhit.

Dyshimet kanë bërë që babai i adoleshentes me origjinë nga Dibra, i kthyer me urgjence nga Greqia, ku punonte në emigracion, të konfliktohet me taksistin. Prindërit e vajzës dyshojnë se ajo mund të jetë mashtruar për qëllime trafikimi. Policia e Durrësit nuk ka mundur ende të zbulojë identitetin e djalit. Ndërsa nga vajza nuk ka patur asnjë reagim pavarësisht thirrjeve të nënës dhe publikimit të fotografisë së saj në media. Sipas policisë, ajo ka patur konflikte të vazhdueshme me të ëmën, e cila, në apelin e saj duket sikur kërkon që mosmarrëveshjet të lihen pas.

Tv Klan