Pëllumb Meta ishte baba i 4 fëmijëve, më i madhi 25 vjeç. Ishte pikërisht ky i fundit i cili 10 ditë më parë, shkoi në policinë e Durrësit për të denoncuar zhdukjen e të atit.

Këtë të premte, policia njoftoi se e kishte gjetur 50-vjeçarin, të vrarë e të varrosur në shtëpinë e familjes, në fshatin Shënavlash. Si autore të dyshuar, autoritetet vunë në pranga vajzën e tij 19-vjeçare, Hygerta Meta. Ajo e ka pranuar krimin dhe si motiv ka dhënë faktin se i ati donte ta fejonte pa dëshirën e saj dhe për shkak të konflikteve të vazhdueshme familjare.


Por përveç arrestimit të Hygertës, në polici mësohet se janë shoqëruar edhe bashkëshortja e viktimës së bashku me dy fëmijët e tjerë të çiftit. Kjo pasi siç raporton gazetarja Enkeleda Arapi, hetuesit dyshojnë se ata mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje.

“Pavarësisht se vajza pretendon dhe këmbëngul që gjithë krimin e ka kryer vetë dhe fshehjen e trupit të tij e ka bërë po vetë, për hetuesit konsiderohet diçka e pamundur dhe në momentin që ka ndodhur ngjarja policia dyshon se pjesëtarë të tjerë të familjes kanë qenë prezentë”, raporton gazetarja, e cila shton se viktima ishte person autoritar, por nuk ishte raportuar asnjëherë si i dhunshëm nga familja e tij.

Gazetarja thotë se 19-vjeçarja e ekzekutoi të atin me pistoletë dhe se në momentin kur ndodhi krimi, në shtëpi kanë qenë edhe pjesëtarë të tjerë të familjes Meta.

Në foto viktima, Pëllumb Meta
Në foto viktima, Pëllumb Meta

Edhe policia, në njoftimin e saj për mediat, tha se “grupi i posaçëm hetimor po vijon hetimet e thelluara për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore, shtetas të tjerë të implikuar në këtë ngjarje”.

Trupi i tij fillimisht u fsheh në kasollen e shtëpisë e më pas u mbështoll me qese dhe u gropos.

Sa i takon kohës kur mund të jetë vrarë 50-vjeçari, pritet që kjo të përcaktohet nga ekspertiza mjeko-ligjore. Të paktën sipas të dhënave zyrtare, Pëllumb Meta u denoncua i zhdukur mbrëmjen e 13 Shkurtit. Që do të thotë se ai me gjasë është vrarë përpara kësaj date./tvklan.al