Më 4 Shtator 2016 u mbajt ceremonia e Shenjtërimit të Nënë Terezës në sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan, ndërsa 5 Shtatori u shënua në kalendarin Apostol si dita e Shenjtores më të re, Nënë Tereza e Kalkutës.

Nënë Tereza ka lindur në Shkup në vitin 1910. Emri i saj i lindjes është Anjeza Gonxhe Bojaxhiu. Gruaja e përulur dhe e përkushtuar ndaj të pamundurve e të braktisurve, nisi rrugëtimin e saj në Indi në moshën 18-vjeçare, drejt qytetit të Kalkutës, ku dhe u bë Nënë Tereza. Ajo ka themeluar Misionaret e Bamirësisë, një kongregacion katolik, pjesë e të cilës janë më shumë se 4500 murgesha dhe është aktiv në disa vende të botës. Në Gusht të vitit 1989, Nënë Tereza vizitoi për herë të parë Shqipërinë.

Në Tetor të vitit 2003, Nënë Tereza u “lumturua” pasi Papa Gjon Pali II njohu mrekullinë e saj të parë. Asaj iu njoh shërimi i një gruaje në Indi, e cila vuante nga tumori në stomak. Monica Besra ka treguar se lutja e Nënë Terezës e shëroi atë nga sëmundja e rëndë.

Për t’u bërë Shenjtore, Nënë Terezës duhej t’i njihej edhe një mrekulli e dytë. Kjo mrekulli u njoh nga Papa Francesku në Dhjetor 2015, ajo e shërimit të të sëmurëve. Një djalë 25-vjeçar nga Brazili kishte konfirmuar se falë murgeshës shqiptare ishte shëruar nga tumori në tru.

Këto dy mrekulli të njohura botërisht, i hapën rrugën Shenjtërimit të Nënë Terezës në vitin 2016. Qeveria Shqiptare e ka caktuar 5 Shtatorin festë zyrtare në respekt të punës dhe veprës së Nënë Terezës. /tvklan.al