300 familje të prekura nga tërmeti i 2019 do të strehohen shumë shpejt në lagjen e re në Kombinat.

Gjatë inspektimit të punimeve, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se për strehimine banorëve do të ndiqet e njëjta metodë në hedhjen e shortit, si në rastin e banesave në zonën e “5 Majit”.

“Sot është një ditë e bekuar sepse kalojmë nga kur thoshim ‘mjerë ata që humbën shtëpitë e tërmetit’, në ‘lum ata që do të marrin shtëpitë e reja’. Ju jam mirënjohës për punën sepse dua që, kur qytetarët të kthehen nga pushimet në shtator dhe sidomos për qytetarët e Kombinatit të japim këto 300 apartamente, që zgjidhin pjesën më të madhe të nevojtarëve. këtë lajm të mirë mund ta kishim patur më shpejt nëse nuk do kishim pasur problematikat që kemi hasur këtu me bllokimin e punimeve, me partiçka që na kanë çuar në gjykatë, ndërkohë që vetë sot nuk ekzistojnë më, kanë ndërruar emrin dhe janë bërë copë çikë”.

Duke u ndalur tek projektet e bashkisë, Veliaj tha se disa prej tyre janë bllokuar për shkak të ngërçit të krijuar nga disa institucione vendimmarrëse në vend.

“90% të punëve i kemi me gjykatat administrative e civile. Sot vazhdojmë të jemi të bllokuar; pra, po mbarojmë ndërtimin këtu, por nuk kemi filluar te një seksion tjetër sepse një gjyqtar ka dhënë një masë bllokimi të punimeve. Një gjyqtar tjetër ka dhënë masë bllokimi për parcelat e varrezave në Sharrë. E njëjta gjë me një gjyqtar tjetër: njëri nga ndërtuesit, që ka ndërtuar pa leje mu në buzë të liqenit, ka vajtur në gjykatë dhe gjykatësi, mes interesit publik, – të atyre 250 mijë vetëve që argëtohen tek Parku i Liqenit, që është mushkëria më e rëndësishme e Tiranës, – dhe një zaptuesi, ia ka dhënë zaptuesit”.

Në zonën ku po ndërtohen banesat e reja në Kombinat, janë parashikuar objekte banimi me 6 dhe 8 kate, për banorët e prekur nga tërmeti i 2019.

Zona do të ketë sheshe urbane ndërthurur me banesa, pedonale dhe rrugë për biçikleta.

Tv Klan