Shënohen 22 raste të reja gjatë 24 orëve të fundit

Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 22 raste të reja me COVID-19. Me këtë numri i përgjithshëm I piacientëve të diagnostifikuar me koronavirus deri sot në ora 12.00 ka shkuar në 241.

Siç njofton Ministria e Shëndetësisë, ka ndërruar jetë sot në mëngjes një paciente 66-vjeçare nga rrethi i Strugës, duke e çuar në katër, numrin e viktimave nga koronavirusi. 

Ajo dhe bashkëshorti gjatë ditës së djeshme kanë rezultuar pozitiv gjatë testimit. Pacientja ka patur edhe sëmundje tjera.

Njoftohet se familja e të ndjerës, disa ditë para shpalljes së situatës së krizës në Dibër, kanë qenë mysafirë në këtë qytet dhe kanë kontaktuar me një mjek të infektuar.

Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar revision të plotë të këtij rasti për të vërtetuar nëse ka patur lëshim mjekësor.

Në afërsi të Klinikës Infektive në Shkup vijojnë aktivitetet për ndërtimin e një spitali – mobil ku, sipas autoriteteve,  do të rriten kapacitetet për 130 shtretër.

Ndryshe, nga dita e sotme, me vendim të Qeverisë hynë në fuqi orari i ri i orës policore.

Në Maqedoninë e Veriut kufizohet lëvizja prej orës 16.00 deri ora 05.00 të mëngjesit.

Tv Klan