Mbështetësit e opozitës politike të Venezuelës mbushën rrugët në disa qytete në vendin e Amerikës Latine kundër fitores së diskutueshme të Presidentit Nicolas Maduro.

Qindra mijëra njerëz u mblodhën në qytetin veriperëndimor të Maracaibo dhe gjithashtu në qytetet Valencia, San Cristobal dhe Barquisimeto.

Udhëheqësja e opozitës Maria Corina Machado bëri thirrje për verifikim të pavarur ndërkombëtar të zgjedhjeve të 28 Korrikut dhe u bëri thirrje protestuesve të qëndrojnë në rrugë.

“Kur ky regjim pa se u mund dhe skema e tyre u zbulua, ata zgjodhën politikën më mizore. Kombet e Bashkuara publikuan raportin paraprak të bërë nga paneli i ekspertëve që erdhën këtu gjatë zgjedhjeve. Çfarë thuhej në raport? Se rezultatet nuk janë të besueshme! Se tonat janë autentike”.

Ajo gjithashtu bëri thirrje që forcat e sigurisë të mbështesin opozitën. Machado, e cila u ndalua të kandidonte në zgjedhje, bëri thirrje për protesta mbarëkombëtare për të intensifikuar presionin ndaj Maduros.

Ky i fundit që mban pushtetin që prej vitit 2013, këmbëngul në fitoren e një mandati të tretë 6-vjecar, por opozita thotë se ka prova që rezultatet u manipuluan.

Komisioni Zgjedhor, i kontrolluar nga Maduro, ka refuzuar të publikojë rezultatet e detajuara të qendrave të votimit duke shpallur Maduron fitues me 52% të votave. Vëzhguesit e pavarur thanë se procesi zgjedhor nuk ishte transparent.

Sipas opozitës së Venezuelës, tubime pati edhe në Spanjë, Australi, Korenë e Jugut, Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Gjermani, Belgjikë dhe Zvicër.

Por protestat kanë çuar në të paktën 2,400 arrestime dhe përleshjet kanë çuar në të paktën 23 vdekje.

Demonstruesit dolën gjithashtu në rrugët e kryeqytetit kolumbian Bogota, ndërsa qeveritë e Kolumbisë dhe Brazilit udhëheqin përpjekjet për të negociuar një lloj zgjidhjeje që të dyja palët të pranojnë rezultatin.

Bashkimi Evropian dhe Organizata e Shteteve Amerikane (OAS) kanë kërkuar publikimin e listave të detajuara të rezultateve.

SHBA dhe disa vende të Amerikës Latine e kanë njohur Gonzalezin si fitues të zgjedhjeve. Në fillim të kësaj jave, një panel i OKB-së arriti në përfundimin se zgjedhjet e Venezuelës humbën transparencën dhe integritetin.

Klan News