Kategoria Superiore do të rikthehet në fushë pas sfidave të kombëtares shqiptare me përballje tepër interesante. Java e katërt rezervon derbin e kryeqytetit mes Dinamo City dhe Partizanit. Një 90 minutësh që vlen shumë për dy skuadrat si në nivelin historik ashtu edhe për renditjen momentale në klasifikimin e përgjithshëm.

Derbi është parashikuar të luhet më 11 Shtator në “Arenën e Demave”, takim ky që do të jetë shumë i luftuar, teksa “Blutë” do të vuajnë mungesën e një titullari. Në sfidën me Elbasanin, Bakary Goudiaby u ndëshkua me karton të kuq. Në këtë mënyrë mesfushori do të jetë i pezulluar për derbin me “Demat”, me stafin e Dinamo City që duhet të bëjë llogaritë pa shërbimet e tij.

Edhe tek Elbasani po e shfrytëzojnë në maksimum pauzën prej kombëtares. Plot 5 lojtarë te verdheblutë kanë probleme fizike. Më problematikë shihet situata me Emir Azemovic, i cili është dëmtuar dhe bëhet fjalë për këputje të ligamentit.

Ky dëmtim do të marrë kohë për t’u rikuperuar, ndërsa debutimin me ekipin ende nuk është bërë. Ndërkohë nga krahu tjetër edhe Telushi dhe Hakaj vazhdojnë të jenë të dëmtuar, por gjasat janë që bashkë me Grecën dhe Ze Gomesh të rikthehen për duelin me Laçin.

Klan News