60 milionë të infektuar me Covid në Europë


60 milionë të infektuar me Covid në Europë

18:22 02/08/2021

OBSH: 1.2 milionë vdekje që prej fillimit të pandemisë, Bullgaria e Rumania hapa pas me vaksinimin

Më shumë se 60 milionë raste me koronavirus janë regjistruar në Evropë që nga fillimi i pandemisë në Mars të vitit të kaluar sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Kjo shifër përbën rreth 30% të të gjitha rasteve të regjistruara në botë.

Zyra rajonale evropiane e OBSH-së ka apeluar për përpjekje më të mëdha për të bërë një progres më të shpejtë dhe më të barabartë në vaksinimin e njerëzve kundër COVID-19.

Ndërsa normat e vaksinimit në Evropë janë ndër më të lartat në botë personat që kanë më shumë prioritet janë të moshuarit dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor pasi ata janë më të rrezikuar.

Më shumë se 1.2 milionë vdekje janë regjistruar në Evropë për shkak të koronavisrusit.

Në nivel global, sipas të dhënave të OBSH -së, numri i humbjeve të jetëve ka shkuar në 4.2 milionë deri më tani.

Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) deri më tani ka regjistruar rreth 34.4 milionë raste të infektuara dhe më shumë se 740.000 vdekje për 27 vendet anëtare të BE-së dhe vendet partnere të tyre Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni.

Edhe brenda BE-së ka pabarazi në marrjen e vaksinave, me vende si Bullgaria dhe Rumania të cilat kanë mbetur pas me vaksinimin krahasuar me progresin që kanë patur vendet e tjera anëtare.

Klan News







Të ngjashme