Autoritetet: Rrezikojmë skenarin e Spanjës ose Italisë

Kjo është dita më e zezë për Serbinë. Kështu e kanë cilësuar bilancin e ri ekspertët serbë, pasi janë shënuar 7 raste të vdekjes për një ditë duke çuar numrin në 23 viktima nga Covid-19 deri më tani. Ata kanë tërhequr vërejtjen që kjo mund të mos jetë dita më e keqe në të ardhmen.

Kanë qenë 105 të infektuar për një ditë dhe qeveria serbe është duke shqyrtuar seriozisht të zbatoj masa edhe më rigoroze 24 orëshe. Ekspertët kanë mbajtur një konferencë për shtyp që ka zgjatur më pak së një minutë dhe vetëm me një porosi.

“Ende në mënyrë intensive shoqërohemi, ende tentojmë të gjejmë forma t’u ikim ndalesave të domosdoshme të izolimit dhe distancimit që të ndalojmë shtrirjen e kësaj sëmundje. Nëse vazhdojmë kështu nuk ka sistem shëndetësor ta përballojë dhe do të na ndodhin skenarët e Spanjës dhe Italisë”.

Serbia ka deri më tani rreth 900 raste të virusit korona. Ndodhet nën masa të rrepta të ndalimit të daljes, por numri i të infektuarve shtohet. Derisa qytetarët shfrytëzojnë çdo mundësi për të dalë nga shtëpitë, shteti përgatitet për infeksione masive dhe alarmon që rreziku nuk do të kaloj të paktën edhe një muaj.

Tv Klan