Pasditja në emisionin “Rudina” në Tv Klan pati dy mysafirë tepër të këndshëm dhe simpatikë. Eliana dhe Kristaq Mitro, regjisori i njohur i disa prej filmave më të njohur shqiptarë, sollën një rrëfim për jetën e tyre, dashurinë e cila po jeton përvjetorin e artë të martesës dhe pasioneve të tanishme.

Eliana në profesion është inxhiniere ndërtimi, ndaj është tërhequr gjithnjë nga e bukura, estetikja dhe moda. Ndaj, për të ndjekur këtë kënaqësi, ajo është bërë pjesë e rrjetit social Instagram, ku ndan ide me ndjekëset e saj se si të vishesh elegante çdo ditë, edhe kur je në moshën e tretë. Madje, profili i saj është aq i kuruar sa mund ta ngatërrosh lehtësisht me një bloggere të mirëfilltë të rrjeteve sociale.

Rudina Magjistari: Cili është emri i Instagram-it tuaj, si quhet profili juaj?

Eliana Mitro: Eliana, lady over 70.

Rudina Magjistari: Si lindi ideja për të realizuar një blog të tillë?

Eliana Mitro: Thjesht, thjesht. Në Facebook nuk nxirrja foto fare, e përdorja vetëm për të marrë informacione, për të parë revista mode, për t’u përditësuar dhe pastaj kur pashë që Instagrami ishte i thjeshtë, mund të hidhje vetëm foto, pa lajka të tepërta që ndonjëherë janë standarde e s’kanë ndonjë vlerë. Nxora fotot e para dhe thashë: “Pse mos të jap edhe unë një shembull?”, kuptohet edhe vetes një kënaqësi duke marrë pëlqimet e para nga gra të ndryshme. Thashë po e vazhdoj në përditshmërinë time, po nxjerr fotot me veshjet e mia dhe kam marrë mjaft kënaqësi. Më kanë shkruar gra jo vetëm gra të moshës sime, se unë nuk jam 70, jam 72 e ca, kështu që e keqja është se ato nuk kanë Instagram.

Rudina Magjistari: Kështu që ju çdo ditë postoni një foto?

Eliana Mitro: Jo çdo ditë. Një-dy herë në javë se më duket sikur e teproj. Pastaj është edhe e vështirë dhe më duhet të jem me dikë. Unë dal përditë, por ndodh që jam vetëm.

Rudina Magjistari: Dhe fotot kush jua bën?

Kristaq Mitro: Po kam bërë edhe unë foto.

Rudina Magjistari: Kur e keni regjisorin me vete, fotoja është e garantuar dhe super cilësore.

Eliana Mitro: Unë dal çdo ditë me motrën time dhe m’i bën ajo. Kur është vajza e motrës, ajo bën foto të bukura, i them: “Ti je menaxherja ime”. Pastaj kur bindet regjisori, kuptohet që ato janë më të mirat dhe të pëlqyeshmet./tvklan.al