Lulzim Basha dëshmoi në Prokurorinë e Tiranës në lidhje me protestën e 8 Janarit. Kreu i PD tha se dhuna u orkestrua dhe organizua nga Berisha. Ai shtoi se demokratët u thirrën për t’u bërë fasadë më 8 Janar.

“Theksoj dhe njëherë kërkesën që ia kam drejtuar organeve ligjzbatuese që të zbardhin menjëherë përgjegjësit dhe ti venë para përgjegjësisë ligjore. Dhuna u orkestrua, u organizua dhe u urdhërua nga Sali Berisha dhe një grup mercenarësh dhe kriminelësh që përbëjnë një organizatë kriminale. Demokratët u thirrën për t’u përdorur fasadë më 8 Janar. Një pjesë e vogël iu përgjigj thirrjes. I drejtohem demokratëve dhe u them se kjo është një ditë në të cilën nuk do të kishim ardhur kurrë për interesat e askujt dhe kjo është një nga dëmet e mëdha që po i shkaktohet PD për shkak egoizmit të pa kufij të Sali Berishës dhe mbivendosjes së tij mbi interesat e demokratëve dhe shqiptarëve. Ndonëse ne ishim subjekt i një sulmi barbar dhe të dhunshëm, nga njëra anë kërkoj vendosjen para përgjegjësisë, të autorëve, organizatorëve, frymëzuesve të dhunës, dhe ju them demokratëve që nuk do humbasim asnjë sekondë në këtë kurth ku na dëshiron kundërshtari ynë, por duhet të jemi në krye të betejës për ta çliruar Shqipërinë nga ky makth që është produkt i aleancës së keqqeverisjes dhe i aleatëve të keqqverisjes ku tashmë edhe Sali Berisha me aktet e 8 Janarit është dëshmuar si aleat i çmuar”.

Basha tha se Berisha nuk ia doli që t’i imponohet PD-së me aktet e dhunës./tvklan.al