9 të prekur nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut

9 të prekur nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut

20:19 11/03/2020

Dy të prekurit fqinjë të çiftit bashkëshortor nga Dibra

Dy fqinj të çiftit bashkëshortor nga Dibra të cilët ishin prekur nga koronavirusi pas qëndrimit në Itali, janë dy rastet e reja të konfirmuara me këtë sëmundje në Maqedoninë e Veriut. Me këtë, numri i të prekurve nga koronavirusi është rritur në 9.

“Nga 12 pacientët e testuar gjatë ditës së sotme, 2 kanë rezultuar pozitiv. Ata janë nga Dibra dhe kanë qenë në kontakt të afërt me të prekurit. Kanë qenë fqinj. Të gjithë të afërmit tjerë që jetojnë në shtëpinë e njëjtë janë negativ, por do të jenë të izoluar dhe në mjekim shtëpiak për shkak se gjendja e tyre shëndetësore e lejon këtë”, tha ministri i Shëndetësisë.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipche nuk përjashtoi mundësinë që të rekrutohen mjekë dhe infermierë nga sektori privat, si ndihmë për kolegët e Klinikës Infektive në Shkup. Ai përsëriti se kategoria më e rrezikuar janë gratë shtatzëna dhe të sëmurët kronik, ku duhet të lirohen nga puna dhe të mbeten në shtëpi. Autoritetet e vendit edhe mëtej ndalojnë transportin e organizuar për në Itali, Zvicër dhe vende tjera ku numri i të prekurve është shumë i lartë duke paralajmëruar edhe kallëzime penale për ata që do të shkelin këto rekomandime.

Ndërkohë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut, përmes një komunikate ka njoftuar se më 10 Mars në orët e mbrëmjes në Aeroportin e Shkupit është bërë deportimi i tre personave të gjinisë femërore, dy prej të cilave janë shtetase të Maqedonisë dhe një fëmijë i mitur për të cilën duhet të zbatohet procedura për shtetësi. Siç njoftohet, personat janë deportuar nga Turqia, saktësisht nga kampi i refugjatëve Gaziantep, pasi për një periudhë të gjatë kanë qëndruar në zonat e luftës në Siri dhe Irak.

Siç njoftojnë nga Qeveria, konform protokolleve për mbrojtje shëndetësore dhe sociale u është dhënë vendimi për vendosjen në mbikqyrje shëndetësore, për shkak të faktit që vijnë nga rajone me rreziqe në rritje epidemiologjike. 

Klan Macedonia




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi