Ndryshimet në ligjin për policinë e shtetit, të cilat kanë prekur edhe departamentin e kufirit, u vlerësuan si të rëndësishme nga agjencia evropiane për kontrollin e kufirit Frontex.

Përfaqësues të saj, të cilët ndodhen për një vizitë dyditore në vendin tonë, u takuan me zotin Gent Strazimiri, zv/Ministër i Brendshëm, si dhe zotin Pëllumb Nako, zv/drejtor i përgjithshëm i policisë së shtetit.

Duke bërë një prezantim të përpjekjeve të bëra që prej vitit 2005 zoti Strazimiri vuri theksin në luftën kundër trafikut të fëmijëve, të drogës dhe të armëve.

Synimi ynë, tha ai, është që departamenti i kufirit të konsolidohet dhe të rrisë më tej efikasitetin.

Gent Strazimiri: “Bashkëpunimi i frytshëm me këtë agjenci të rëndësishme të Bashkimit Evropian është një garanci për implementimin me sukses të marrëveshjes së liberalizimit të vizave ashtu sikurse është natyrisht një hap i rëndësishëm përpara në përmbushjen e detyrimeve që ne kemi marrë përsipër me nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian.”

Zoti Rick Viermanns nga departamenti i marrëdhënieve me jashtë për Frontex-in tha se draft-dokumenti i paraqitur nga Frontex, i cili do të pasohet edhe me nënshkrimin e tij do të forcojë edhe më shumë bashkëpunimin mes dy agjencive./tvklan.al

Gazetare: Danjela Kostandini