Një aksident i rëndë ka ndodhur paradite në autostradën Lushnje-Rrogozhinë pranë fshatit Zham.

Pranvera Gjika, vetëm 10 vjeç, është përplasur për vdekje nga një kamion me targa të Lushnjës i drejtuar nga Rushit Kërçuku.

Sipas policisë shkak i aksidentit ka qenë pakujdesia e 10-vjeçares, e cila ka tentuar të kalojë në krahun tjetër të autostradës.

Për drejtuesin e automjetit gjithçka ka qenë e papritur dhe nuk ka mundur të frenojë në kohë.

Pasi ka përplasur vajzën e mitur kamioni ka humbur kontrollin duke u përplasur me disa makina të tjera, por këtë herë ka shkaktuar vetëm dëme materiale.

Ky është rasti i dytë që brenda tre ditëve në autostradën Lushnje-Rrogozhinë ndodhin aksidente me pasojë vdekjen.

Edhe pse përgjatë autostradës janë ndërtuar mbikalime dhe nënkalime banorët e zonave vazhdojnë të kalojnë rrugën duke hipur mbi murin ndarës të autostradës, duke u bërë kështu shkak për aksidente të renda./tvklan.al