Vihet në pranga shoferi i BMW-së, nuk respektoi distancën

Një parakalim i gabuar nga automjeti tip Benz, me shofer, Riza Rapajn dyshohet se u bë shkak i aksidentit tragjik me 4 viktima në bypass-in e Tepelenës mbrëmjen e së dielës.

42-vjeçari shofer i Benzit, ishte vetë mes viktimave të kësaj ngjarje të rëndë, për të cilën 1 ditë më pas policia ka vënë në pranga një 46-vjeçar.

Bëhet fjalë për Elton Prokon, shoferin e automjetit tip BMË i cili gjithashtu u përfshi në përplasjen e rëndë.

46-vjeçari është vënë në pranga për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, pasi sipas verifikimeve të deritanishme nuk ka respektuar distancën me mjetin tip Toyota, duke e goditur atë nga mbrapa.

Automjeti tip Toyota ishte më i dëmtuari në këtë përplasje të frikshme, pasi 3 nga 5 personat që udhëtonin me të gjetën vdekjen e menjëhershme. Dy të mbijetuarit morën plagë të rënda dhe vijojnë të jenë ende nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës.

Për zbardhjen e plotë të ngjarjes policia ka grumbulluar disa pamje filmike të lëvizjes së automjeteve të përfshira në aksident si dhe është në pritje të ekspertizës për të përcaktuar shpejtësinë e lëvizjes së tyre dhe shkakun.

Tv Klan