Gjendet trupi i viktimës së 45-të

Mediat bullgare kanë njoftuar se është gjetur trupi i 45-të i viktimave nga aksidenti tragjik në Bullgari, kjo pasi sot sërish është bërë kontrolli i autobusit. Numri i viktimave nga kjo tragjedi është 45, ashtu siç ishte njoftuar fillimisht. Informacioni është konfirmuar edhe nga Zv/Kryeprokurori bullgar, Borislav Sarafov.

“Në natën tragjike, në ora 21:15 përmes vendkalimit kufitar “Kapitan Andreevo” kanë hyrë 52 udhëtarë. Prej tyre në autobus kemi gjetur 45, kurse 7 janë në Spitalin “Pirogov”. Për fat të keq, nuk ka një tjetër të mbijetuar. Gjatë ekspertizës janë gjetur edhe mbetjet e trupit të pajetë të një fëmije” 

Dje hetuesit njoftuan se në autobus janë zbuluar 44 trupa të pajetë. Mungonte një person kurse njëri prej të lënduarve që kishte dëshmuar insistonte se janë shpëtuar 8 udhëtarë. Por, nga Ndihma e shpejtë ishin kategorik se në Spitalin “Pirogov” kanë dërguar shtatë udhëtarë të lënduar.

Shtetasi bullgar, Sadi Saleh, gabimisht ka qenë i involvuar në listën e udhëtarëve të lënduar nga aksidenti i autobusit të “Besa Transit” që ndodhi të martën herët në mëngjesi në autostradën “Struma” në Bullgari,  kanë njoftuar mediat bullgare.

Shtetasi bullgar Saleh u është drejtuar mediave në Bullgari duke sqaruar se nuk ka asnjë lidhje me aksidentin tragjik të autobusit. Ai ka thënë se është shtetas i Bullgarisë dhe se të shtunën është pranuar në repartin e Traumatologjisë në Spitalin “Pirogov” në Sofje për shkak të thyerjes së dorës.

Tv Klan