Qytetarët e jo Mickoski, janë ata që do të vendosin nëse BDI-ja do të shkojë në opozitë. Ky ka qenë mesazhi i liderit të BDI-së, Ali Ahmetit, gjatë një tubimi partiak në Kërçovë, teksa ka komentuar zhvillimet dhe paralajmërimet pasgjedhore që vijnë nga opozita maqedonase.

“A ju kujtohet Zoran Zaevi, kur doli para katër viteve, BDI në opozitë. Kështu thoshte. Del VMRO-ja e Mickoskit thotë do marr të tjerë unë dhe BDI-ja do të shkojë në opozitë. Nuk është Mickoski ai që vendos se a do të shkojë BDI-ja në opozitë. Jeni ju, populli”, tha Ahmeti.

Lideri i integristëve, Ali Ahmeti, bëri thirrje që të ulen tensionet, duke pohuar se qëllimi i Frontit Evropian është anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE.

“Është mirë të reflektojnë. Unë nuk dua as skena nacionaliste e as skena patriotike. Edhe për njërën edhe për tjetrën jam i gatshëm edhe me shpatë. Por, vendi ynë e ka vendin në Evropë. Jo rastësisht jemi bërë të gjithë bashkë”, tha Ahmeti.

“BDI në opozitë” ka qenë refreni kryesor i VMRO-DPMNE-së, thirrje kjo që ka nisur që në parafushatën zgjedhore, kurse u konfirmua natën e 24 prillit, kur Mickoski duke e ndjerë tashmë veten si mandatar i ardhshëm për formimin e qeverisë, bëri publike preferencën që opozita shqiptare të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme./tvklan.mk