Lajme Arkiva 2003

ODIHR-OSBE kanë ashpërsuar tonet në raportin e dytë mbi procesin e zgjedhjeve lokale. Duke e perifrazuar shprehjen e Leninit dy hapa para 1 hap mbrapa, ambasadori i ODIHR-it Barry ka konsideruar se procesi parazgjedhor dhe dita e zgjedhjeve kanë ecur mirë, ndërsa procesi pas zgjedhor ka qenë një zhgënjim.

Robert Barry: “Pikëpamja jonë e përgjithshme mund të përmblidhet në shprehjen e Leninit dy hapa para 1 hap mbrapa. Dy hapat para ishin procesi zgjedhor dhe dita e zgjedhjeve ndërsa hapi mbrapa ishte procesi i ngatërruar i numërimit të votave, nxjerrjes së rezultateve dhe apelimeve të shumta. Procesi paszgjedhor ishte zhgënjyes”.

Barry e ka konsideruar të turpshme gjendjen në KZQV-në e Tiranës, sipas tij kjo ka bërë që rezultati të cenohet rëndë.

Robert Barry: “Gjendja në KZQV-në e Tiranës është e turpshme, ky organ rezultoi jo efikas për shkak të paaftësisë, pakujdesisë  apo pengesës së qëllimshme. Paprekshmëria e rezultateve në KZQV është në pikëpyetje”.

Vëzhguesit ndërkombëtarë vërejnë se çështja e listave të zgjedhësve është më e mprehtë se çmendonin. OSBE-ODIHR ka prova për parregullsi të rënda në këto lista.

Robert Barry: “Ne kemi mbledhur prova për parregullsinë në listat e votimit, si heqja e një numri të konsiderueshëm të votuesve nga listat, shpërngulja e votuesve nga qendrat e votimit dhe të tjera. Problemi është se listat nuk po vijnë duke u përmirësuar, por duke u përkeqësuar në Shqipëri”.

Vëzhguesit kanë vlerësuar rolin e KQZ-së si transparent, por kanë bërë vërejtje për vonesën e dhënies së rezultatit në kundërshtim me kodin zgjedhor, sipas tyre një gjendje e tillë ka ardhur si pasojë e ndërhyrjeve të politikës.

Robert Barry: “KQZ ka vepruar në mënyrë transparente dhe të hapur, vonesa e dhënies së rezultatit prej më shumë se 10  ditësh është në kundërshtim me kodin zgjedhor që parashikon vetëm 3 ditë për dhënien e rezultatit , vonesa ka ardhur për shkak të ndërhyrjeve të politikës. Sipas vëzhguesve tanë të përkohshëm në ¾ të zonave ka patur probleme të ndërhyrjeve politike përmes komisionerëve dhe unë vetë kam konstatuar probleme të tilla”.

Ambasadori i ODIHR-it Barry ka konstatuar se opozita dhe partitë e vogla kanë marrë më shumë vota në këto zgjedhje. Barry nuk ka përjashtuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme duke u bazuar në të dhëna të shtypit shqiptar.

Robert Barry: “Partitë e vogla dhe opozita kanë fituare më shumë vota në këto zgjedhje. Më duhet të nënvizoj masat urgjente që duhen marrë për zgjedhjet e ardhshme që mesa duket do të zhvillohen përpara 2005 siç janë parashikuar”.

OSBE-ODIHR bën thirrje për rishikimin urgjent të listave të votuesve dhe rishikim të kodit zgjedhor./tvklan.al