Parlamenti rus mund të shqyrtojë aneksimin e territoreve në 4 Tetor, SHBA dhe BE po planifikojnë raund tjetër sanksionesh

Zyrtarët e instaluar nga Rusia në katër rajone të okupuara të Ukrainës raportuan një shumicë të madhe votash në favor të bashkimit me Rusinë.

Shtetet e Bashkuara po planifikojnë një rezolutë që do e dërgojnë në OKB që dënon referendumet si të pavërteta si dhe po përgatit edhe një raund të ri sanksionesh kundër Rusisë dhe një paketë armësh prej 1.1 miliardë dollarësh për Ukrainën që do të shpallet së shpejti.

Votimet u zhvilluan gjatë pesë ditëve në rajonet lindore të Donetsk dhe Luhansk, dhe në Zaporizhzhia dhe Kherson në jug, që së bashku përbëjnë rreth 15% të territorit ukrainas. Numri i votave nga rezultatet në katër provincat varionte nga 87% në 99.2% në favor të bashkimit me Rusinë, sipas zyrtarëve të emëruar nga Rusia. Kreu i dhomës së lartë të parlamentit rus tha se dhoma mund të shqyrtojë aneksimin më 4 Tetor.

Brenda territoreve të pushtuara, zyrtarët e instaluar nga Rusia morën kutitë e votimit, në atë që Ukraina dhe Perëndimi thanë se ishte një ushtrim i paligjshëm për të krijuar një pretekst ligjor për Rusinë për të aneksuar katër rajonet.

Kjo farsë në territoret e pushtuara nuk mund të quhet as imitim i një referendumi,” tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një fjalim video të martën vonë. “Rezultatet janë të qarta. Mirë se vini në shtëpi, në Rusi!”, tha në Telegram Dmitry Medvedev, që shërben si zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë dhe një aleat i Presidentit Vladimir Putin.

Rusia ka aftësinë për të vënë veton ndaj një rezolute në Këshillin e Sigurimit dhe sipas asaj që raporton Reuters kjo do t’i shtynte Shtetet e Bashkuara ta çojnë çështjen në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vassily Nebenzia,  u shpreh se referendumet u zhvilluan në mënyrë transparente dhe në përputhje me normat zgjedhore. Putin tha javën e kaluar se ishte i gatshëm të përdorte armë bërthamore për të mbrojtur “integritetin territorial” të Rusisë. Kievi ka bërë të ditur se nuk do të ndikohet nga kërcënimet bërthamore ose nga votat e aneksimit dhe do të vazhdojë me planet për të rimarrë të gjithë territorin e pushtuar nga forcat pushtuese ruse.  Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë së Ukrainës raportoi se forcat ruse kishin bombarduar shtatë qytete në Donetsk. Ndërkaq 20 qytete në rajonin Zaporizhzhia në Ukrainën jug-qendrore dhe 35 qytete dhe fshatra në rajonin Kherson në jug u goditën gjithashtu.

Klan News