Kjo video reklamuese e lojës mashtruese “Plinko”, por dhe shumë të tjera të publikuara në rrjetet sociale, po verifikohen nga Policia e Shtetit pas dyshimeve se janë pjesë e një skeme të madhe mashtrimi online.

Përmes tyre reklamohet se ky aplikacion të jep mundësinë e përfitimit të shumave të konsiderueshme parash.

Por dyshimet e ngritura se në këtë mënyrë po zhvaten para, detyruan policinë që të dalë me një apel për qytetarët që të mos bien pre e mashtrimit.

Hetimet e nisura përfshijnë dhe personat që e reklamojnë këtë aplikacion, i cili, sipas ekspertëve, shërben tërësisht si një karrem për t’u marrë paratë atyre që bëhen pjesë e lojës.

Nga verifikimet, aplikacioni “Plinko” është një lojë e cila mund të aksesohet lehtësisht në internet dhe për t’u bërë pjesë e saj kërkohen të dhënat personale të individit, por dhe të llogarive bankare.

Burime pranë Policisë së Shtetit i thanë Tv Klan se deri tani nuk ka kallëzime të depozituara nga qytetarët që mund të kenë rënë pre e mashtrimit.

Grupmosha nën 18 vjeç janë më së shumti përdorues të këtij aplikacioni, ndaj dhe apeli i Policisë së Shtetit ka qenë drejtuar prindërve të tyre, për të mos u dhënë akses në të dhënat e llogarive bankare.

Të njëjtat metoda qe dyshohet se përdoren për zhvatje parash janë reklamuar në internet dhe për aplikacione të tjera, për të cilat gjithashtu ka një hetim nga policia.

Tv Klan