Tirana dhe transformimi i saj në 10 vitet e fundit ka qenë në qendër të një artikulli që revista Forbes i ka kushtuar kryeqytetit. Mikpritja, luksi, zgjerimi urban dhe vëmendja ndaj kulturës, rezultojnë të jenë katër gurët e themelit të një ndryshimi që synon riformësimin e skenarit të të gjithë hapësirës ballkanike, ku Shqipëria po luan rolin e protagonists – shkruan revista Forbes.

Në artikull vlerësohet Tirana, si dëshmitare e një hapjeje të shpejtë financiare ndaj kapitalit ndërkombëtar. Një transformim i shpejtë ‘estetik’, i mbështetur nga ndërtimi, me ngritjen e ndërtesave dhe zonave financiare që ndryshuan pamjen e horizontit të saj, të vendosur në një përzierje të arkitekturës osmane, austro-hungareze dhe italiane.

Kryeqyteti shqiptar nën drejtimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, shkruan Forbes, ka përjetuar një transformim të thellë, i cili e ka bërë atë të shfaqet si një model urban pionier, me rëndësi në rritje, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar.

Pylli orbital dhe piramida janë dy nga zonat më tërheqëse dhe projketet më ambicioze të vlerësuar në shkrim. Por nuk lihen pa përmendur edhe rinovimi i sheshit Skënderbej, i shndërruar në një pedonale të rrethuar nga hapësira me shatërvane, sot një pikë referimi dhe vend tubimi shoqëror për komunitetin, si dhe pikëmbështetje e ngjarjeve kulturore e demonstratave publike.

Forbes ndalet edhe në titullin që Tirana do të mbajë në 2025, Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut, duke e cilësuar atë si një mundësi shumë e mirë për Tiranën e bazuar në themele të forta të rilindjes dhe dëshirës për t’u pozicionuar në një udhëkryq jashtëzakonisht strategjik mes Ankarasë dhe kontinentit të vjetër.

Tv Klan