Akuzohej për përgjime të paligjshme në vend

Ish-Shefi i Policisë Sekrete të Maqedonisë së Veriut, Sasho Mijalkov, zyrtarisht ka fituar statusin e të arratisurit. Fotografia e tij është gjetur në ueb-faqen zyrtare të MPB-së ku po kërkohet me fletarrest ndërkombëtar për t`u realizuar vendimi gjyqësor për paraburgim shtëpiak.

Ai është zhdukur disa ditë para se të shpallet aktgjykimi për lëndën “Target-Fortesa” ku ai është i akuzuari i parë. Që nga mbrëmë, policia ka bllokuar çdo hyrje dhe dalje të shtëpisë së tij dhe hotelit ku ka qëndruar, kurse sot në mëngjes po kontrollonte çdo veturë që dilte nga parkingu. Policia në pyetje ka marrë edhe të afërmit e tij.

Sipas kumtesës së Prokurorisë Publike, Ministria e Punëve të Brendshme, të shtunën ka dorëzuar informacione se Sasho Mijallkovi mund të arratiset. Prokuroria dyshon se Mijalkovi ka pasur ndihmë gjatë arratisjes, duke marrë parasysh se kanë pasur njoftime se ai, deri në momentin e dorëzimit të propozimit për paraburgim, nuk ka qenë në arrati.

Kryeministri Zaev është shprehur i zhgënjyer për arratisjen e Mijalkovit duke kërkuar përgjegjësi nga kompetentët.

“Rendi është që ti presim detajet dhe sigurisht nëse ka çfarëdo lëshimi përgjegjësi do të kërkoj publikisht”.

Nga opozita drejtojnë akuza se arratisja e ish-shefit të Policisë Sekrete është bërë me marrëveshje politike. Sipas tyre, kjo është bërë që nga viti 2018 kur e kishin përjashtuar Mijalkovin nga VMRO-DPMNE-ja.

“Shpërblimi për këtë shkatërrim të Maqedonisë nga ana e Zaevit arriti këtë fundjavë me mënyrën se si u mundësua ikja nga drejtësia. Edhe në këtë moment kemi të arratisur nga drejtësia. Oliver Spasovski po hesht, Radmila Sheqerinska nuk duket askund, kurse Zoran Zaevi shpreh keqardhje dhe hedh fajin. Kanë 24 orë ta gjejnë të arratisurin”.

Ndryshe, aktgjykimi për rastin “Target-Fortesa” duhej të shpallej më 26 Shkurt. Ish-Shefi i Policisë Sekrete akuzohet për përgjimin masiv në Maqedoninë e Veriut dhe për shkatërrimin e pajisjeve të përgjimit. 

Tv Klan