Disa orë pas vetëvrasjes me armën e shërbimit të efektives, Aldorjana Loshi, policia e Tiranës ka vënë në pranga të dashurin e saj. Ai është 28-vjeçari, Endri Nika, i cili është vënë në akuzë nga uniformat blu për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Nga hetimet e komisariatit 1 në Tiranë, i riu ka qenë në banesën e efektives 22 vjeçare, rreth 30 minuta pasi kjo e fundit kishte ndërmarrë aktin e vetëvrasjes.

Pasi ka konstatuar se e dashura e tij i kishte dhënë fund jetës, 28 vjeçari dyshohet se ka fshirë mesazhet ne telefonin e viktimës që i kishte shkëmbyer në momentet e fundit të jetës me Nikën, e më pas ka lajmëruar policinë.

Burime bëjnë me dije se hetuesit kanë zbuluar këtë fakt pas analizimit të telefonit të të arrestuarit, ku janë gjetur biseda mes dy të rinjve, mes tyre dhe një mesazh që 22 vjeçarja i kishte dërguar pak minuta para vetëvrasjes.

Në të thuhej: Derën e shtëpisë do e gjesh hapur.

Vetë 28-vjeçari është shprehur para oficerëve të policisë se mesazhet i ka fshirë pasi ka qenë i traumatizuar dhe se një ditë më parë mes tij dhe viktimës kishte patur një zënkë në çift.

Tv Klan