Mbetet alarmante situata nga zjarret në Parkun Kombëtar të Prespës. Pas 9 ditësh të një zjarri intensiv, bilanci paraprak i dëmeve llogaritet në mbi 300 hektarë pyje të djegura.

Bashkia e Pustecit konfirmoi këtë të mërkurë se pritet të ketë një ndërhyrje nga ajri për të vënë vatrat nën kontroll pasi puna që po bëhet nga toka është vështirësuar për shkak të terrenit të thyer.

Një tjetër park kombëtar, ai i malit të Tomorrit është mundur të shpëtohet pas një zjarri që vijoi për 3 ditë. Zyrtarët lokalë konfirmuan se flakët dëmtuan, ose shkrumbuan rreth 15 hektarë me kullota e dru pishe. Aktualisht po punohet për mbajtjen e flakëve nën kontroll.

Po në qarkun e Beratit, një zjarr i fuqishëm shpërtheu në bashkinë e Dimalit duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në një plantacion rreth 2 hektarë të mbjellë me ullinj. Pas rreth 5 orësh u bë e mundur shuarja e flakëve që ndihmoheshin edhe nga era e fortë në zonë. 

Dy persona të tjerë u ndaluan për zjarrvënie të qëllimshme në 24 orët e fundit. Një 68-vjeçar në Burrel po hetohet për një zjarr që dogji 2 hektarë me bimësi ndërsa një 64-vjecar dogji qëllimisht një sipërfaqe me tru frutorë.

Tv Klan