Prej 2020 ishte shpallur në kërkim nga SPAK

Pas 3 vitesh arrati, është arrestuar në Spanjë i shumëkërkuari i drejtësisë, Lulzim Berisha.

Arrestimi i tij është finalizuar si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes palës shqiptare dhe agjencisë FAST të Spanjës.

Sipas policisë, prangosja e të shumëkërkuarit është bërë të enjten në Alikante, ku për kapjen e tij janë angazhuar qindra froca të policisë Spanjolle.

I konsideruar si ish-kreu i Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha ka një kalvar të gjatë procesesh gjyqësore me drejtësinë shqiptare.

Konkretisht në 2012 ai u dënua me burg përjetë nga Gjykata e Durrësit për disa krime të rënda, dënim ky që u rrëzua në Korrik të 2014 nga Gjykata e Lartë.

Kjo e fundit e dënoi atë përfundimisht me 25 vjet burg, por vetëm dy vite pas këtij dënimi ai u lirua nga burgu, konkretisht në Dhjetor të 2016.

Katër vite pasi fitoi lirinë, ndaj Lulzim Berishës nis një tjetër proces penal, ku u shpall sërish në kërkim nga drejtësia. Për të SPAK ngre akuzën e pjesmarrjes në vrasjen e Klodian Saliut, Vajdin Lames dhe mikut të tij Artan Arsi, ngjarje këto të ndodhura në vitin 2005.

Sikur të mos mjaftonin këto, në vitin 2021, Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin për lirimin e Lulzim Berishës në 2016 dhe kërkoi rikthimin e tij në burg.

Kërkesë kjo e cila pritet të realizohet vetëm pas përmbylljes së procesit të ekstradimit të tij në Shqipëri, pas arrestimit.

Për prangosjen Lulzim Berishës reagoi dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili përmes një statusi në rrjetet sociale tha se sundimi ligjit do godasë këdo dhe se pandëshkueshmëria do të marrë fund.

Tv Klan