Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Ushtria jugosllave dhe Ushtria për Çlirimin e Preshevës, kanë rënë dakord, të tërheqin trupat nga dy fshatra në rajonin e Preshevës në kufij të Kosovës. Kjo shënon një hap kyç përpara në drejtimin e uljes së tensionit në jug të Serbisë. Që nga e diela, tre mijë shqiptarë kanë ikur nga zonat të frikësuar nga lufta. Por marrëveshja e arritur është një shenjë për uljen e tensionit.

I dërguari i NATO-s Olivan, sqaroi se të dy palët kanë pranuar të largohen nga fshatrat Luçan dhe Turia. Garantimi i lëvizjes së lirë të njerëzve dhe vendosja e besimit, synon edhe të eleminojë rreziqet të një konflikti serioz në 24 Maj, kur me lejen e NATO-s forcat serbe duhet të futen në sektorin B të zonës së çmilitarizuar. Por Ushtria Çlirimtare e Preshevës është angazhuar të mos e lejojë ushtrinë serbe të futet në këtë sektor./tvklan.al