Rajoni perëndimor i Kurskut në perëndim të Rusisë shpalli gjendjen e jashtëzakonshme pas mësymjes së rrallë të ushtrisë ukrainase brenda territorit rus.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë ruse Valeri Gjermasimov tha se është arritur të ndalet përparimi i trupave ukrainase, të cilat sipas përllogaritjeve kanë arritur të penetrojnë deri në 10 kilometra në brendësi të territorit rus.

Kjo e Enjte shënon ditën e tretë të mësymjes së 1 mijë ushtarëve ukrainas në territorin rus. Ushtarët ukrainas kanë marrë nën kontroll pikën e madhe të tranzitit të gazit rus drejt Europës, ndër të paktat që është funksionale që pas sanksioneve perëndimore ndaj Moskës, për sulmin ndaj Ukrainës. Pikërisht në këtë zonë janë përqendruar edhe luftimet.

Nënkryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, Dimitri Medvedjev përmes një deklarate në rrjetin Telegram tha se ky sulm tregon se Rusia duhet të zgjerojë operacionin në Ukrainë dhe të marrë nën kontroll jo vetëm lindjen e Ukrainës, por edhe Kievin e më gjerë, për të rrëzuar një herë e mirë atë që ai e quan “regjim nazist të Volodimir Zelenskit”.

Të Martën, presidenti rus Vladimir Putin tha se sulmi ukrainas ishte një provokim që nuk do të mbetet pa kundërpërgjigje.

Tv Klan