Harrojeni të shpenzoni shuma marramendëse në destinacionet e njohura të mbipopulluara me turistë.

Ekziston një alternativë me çmime të përballueshme dhe peizazhe mahnitëse. Kështu tabloidi i njohur britanik “The Sun” nis një reportazh për Shqipërinë duke u sugjeruar lexuesve të saj të vizitojnë vendin tonë.

Në shkrim thuhet se ujërat e kristalta blu nuk ndodhen vetëm në Spanjë, Greqi apo Itali, por edhe në Shqipëri.

Tabloidi nënvizon se vendi ka plazhe mahnitëse dhe hotele luksoze, por jo vetëm kaq.

“Shqipëria sipas tij gjithashtu krenohet me qendrat mahnitëse kulturore dhe vargmalet e saj. Nëse udhëtoni në Rivierën Shqiptare qëndroni në Sarandë ose Ksamil në jug të Shqipërisë – pasi ajo është zona më e bukur e rivierës”, citon The Sun.

Sipas saj, pjesa më e madhe e pikave turistike, si ishujt e Ksamilit, Syri i Kaltër i Sarandës, vendet e UNESCO-s si Gjirokastra dhe Butrinti ndodhen përreth kësaj zone.

“Vendi mesdhetar, është kthyer në një opsion të ri arratisjeje për britanikët”, e mbyll The Sun.

Tv Klan