Rikardo Kalafiori u bë blerja e parë e verës e Arsenalit, ndërsa firmosi një kontratë pesëvjeçare në “Emirates”.

Futbollisti italian tërhoqi vëmendjen me një sezon mjaft të mirë te Bolonja, duke ndihmuar ekipin që të kualifikohej në Ligën e Kampioneve, e më pas me Italinë në Euro 2024.

Trajneri Mikel Arteta këmbënguli për të marrë shërbimet e mbrojtësit 22-vjeçar. Topçinjtë paguan 43 mln Euro për kartonin e futbollistit, që ende nuk i ka bërë 100 paraqitje me ekipin e parë në karrierë.

Por synimi i spanjollit është që të afrojë emra me potencial në repartin difensiv. Që kur u ul në stolin e Arsenalit, Arteta ka afruar në total 11 mbrojtësa. Në total, Arsenali në këto katër vite ka shpenzuar 240 milionë Paund vetëm për afrime në repartin difensiv, raporton “Daily Mail”.

Ndërkohë që drejtuesit po punojnë për afrimin e dytë. Mikel Merino mund të bëhet pjesë e topçinjve, të cilët i kanë paraqitur Real Sociedadit një ofertë prej 25 milionë Paundësh.

Mesfushori është në vitin e tij të fundit të kontratës me klubin spanjoll.  Sipas spanjolles “Sport”, Merino ka arritur akordin personal me Arsenalin.

Klan News