66 artistë nga 17 vende të ndryshme u shfaqën në një koncert madhështor në teatrin “Aleksandër Mosiu” në Durrës, ku interpretuan vepra të njohura klasike dhe versione të reja të këngëve pop dhe rock.

Orkestra e të rinjve të Ballkanit Perëndimor, nën drejtimin artistik dhe dirigjimin e Desar Sulejmanit, u rikthye për të dytin vit radhazi në këtë qytet, duke synuar të bëhet një traditë.

Sipas drejtuesit artistik, Desar Sulejmani, ky vit dallonte nga i mëparshmi për shkak të ndërthurjes së rrymave muzikore, duke kombinuar elemente të muzikës klasike dhe moderne.

“Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor,” e krijuar në vitin 2019, erdhi në këtë qytet pas një turi të mbajtur në disa vende të tjera.

Qëllimi kryesor i kësaj orkestre është të bashkojë instrumentistët e rinj më të mirë, veçanërisht nga Ballkani Perëndimor, por edhe nga shtete të tjera evropiane.

Klan News