Nga 19,700 kandidatë që kanë aplikuar për të garuar në universitetet e vendit, 2035 maturantë garojnë për degën mjekësi e përgjithshme.

Fakulteti i Mjekësisë ka publikuar listat e maturantëve që do të hyjnë në testin e informatizuar për të fituar të drejtën e studimit në mjekësi.

Ndërkohë që edhe qendra e shërbimeve arsimore, ka publikuar datat e zhvillimit të testimit, i cili nis më 14 Gusht, deri më 23 Gusht.

Pranë faqes online të QSHA, maturantët mund të gjejnë bashkangjitur emrin të tyre, datën  edhe orarin e zhvillimit të testimit, pasi gjatë një ditë do të zhvillojnë testin para kompjuterit 4 grupe maturantësh.

Nga testi i informatizuar maturantët marrin 30 % të pikëve ndërsa pikët e tjera i marrin nga nota mesatare e gjimnazit dhe Provimet e Maturës Shtetërore. Testi në total do të ketë 50 pyetje nga lëndët biologji, fizikë dhe kimi.

Rezultatin e pikëve kandidatët e marrin menjëherë sapo përfundojnë testimin. Pas mbylljes së testimit më 23 gusht, universiteti i mjekësisë do të bëj renditjen finale të konkurrentëve në baze dhe të pikëve nga nota mesatare. Fituesit në universitete shpallen me 27 Gusht.

Studentët e rinj që fitojnë të drejtën e studimit në mjekësi të përgjithshme për vitin akademik 2024-2025,  do të duhet të firmosin një kontratë paraprake me Ministrinë e Shëndetësisë dhe të arsimit, sepse me ligjin e ri të trajtimit të studentëve të mjekësisë, ata duhet që pas studimeve të punojnë tre vite në sistemin shëndetësor publik, sipas nevojave që ka vendi

Klan News